Analist Abdullahu: Qeverisë Hoti i duhet liberalizimi i vizave që të mbijetojë

Analisti i njohur kosovar, Faton Abdullahu i ka bërë një analizë rrethanave aktuale të përcaktuara nga zhvillimet më të rëndësishme në politikën vendore. Z.Abdullahu nuk beson që Qeveria Hoti mund të vazhdojë të qëndrojë në këmbë edhe për kohë të gjatë nëse nuk ndodh ndonjë zhvillim i rëndësishëm që do ta fuqizonte rëndësinë e saj, […]
Z.Abdullahu nuk beson që Qeveria Hoti mund të vazhdojë të qëndrojë në këmbë edhe për kohë të gjatë nëse nuk ndodh ndonjë zhvillim i rëndësishëm që do ta fuqizonte rëndësinë e saj, si shembull ai ka marrë liberalizimin e vizave.
Sa i përket dialogut, Abdullahu beson që ai është i parëndësishëm derisa drejtohet nga Bashkimi Evropian megjithëse në vetvete ka rëndësi tepër të madhe. Ai ka shtuar se ShBA-të janë ato që duhet të japin shtytjen përfundimtare për të nxjerrë edhe një marrëveshje Kosovë-Serbi, transmeton Periskopi.
“Nëse tani nuk ka shtytje nga amerikanët, konkretisht nga Administrata Tramp, për të vazhduar dialogun e filluar në Uashington, është e vështirë të mendohet se në këto rrethana mund të krijohet një unitet rreth Qeverisë Hoti, pa e pasur të qartë se kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë edhe për katër vitet e ardhshme.” – shkruan ai.
Më tej, z.Abdullahu konsideron që nga e gjithë kjo situatë përfituese e madhe do të jetë Serbia.
Statusi i plotë:
Dialogu dhe gjendja në Kosovë
1) Rrethanat janë tepër të papërshtatshme për dialog me Serbinë, për rrjedhojë është gati e pamundur të ndërtohet një unitet i qëndrueshëm për tu përballur si duhet me Serbinë. Kjo pos tjerash edhe pse kemi a) Qeveri minore b) Një lloj aktakuze nga Gjykata Speciale për Presidentin dhe Kryetarin e PDK-së dhe disa persona të tjerë c) Pandemia e cila është përhapur në përmasa brengosëse .
2) Qeverisë Hoti i duhet ‘diçka e madhe’ dhe jo e zakonshme për të mbijetuar dhe vazhduar punën. Ndër këto mund të jenë dhënia e vizave, apo edhe dhënia e ndihmave shumë të mëdha, dhe këto jo vetëm për tejkalimin e pandemisë. Përndryshe e ka shumë të vështirë të vazhdojë e lëre më të arrijë dhe ta zbatoj çfarëdo marrëveshje.
3) Nëse tani nuk ka shtytje nga amerikanët, konkretisht nga Administrata Tramp, për të vazhduar dialogun e filluar në Uashington, është e vështirë të mendohet se në këto rrethana mund të krijohet një unitet rreth Qeverisë Hoti, pa e pasur të qartë se kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë edhe për katër vitet e ardhshme.
4) Bashkimi Evropian do të vazhdoj dialogun Kosovë – Serbi me çështje dytësore, sa për të thënë se po dialogohet, sepse ajo e di se pa SHBA-t nuk ka zgjidhje të problemit. Edhe dialogu aktual në Bruksel është i dizajnuar më shumë për ta prolonguar (apo mbushur me diçka ) këtë gjendje me shumë paqartësi.
5) Serbisë më së shumti i konvenon kjo situatë, edhe po dialogohet edhe nuk po shihet në horizont se do të vendoset diçka konkrete dhe e rëndësishme. Për më shumë gjatë gjithë kësaj periudhe ajo paraqitet kooperuese dhe bashkëpunuese pa pasur nevojë të bëjë ndonjë gjë konkrete.
6) Pa u sqaruar se kush do të jetë për katër vitet e ardhshme President në SHBA dhe a do të bëhet e plotfuqishme akuza politike e Gjykatës Speciale dialogu nuk mund të kaloj në binar normal dhe nuk mund të merret seriozisht edhe pse është gjëja më serioze me të cilën duhet të merren institucionet e Kosovës.












