Shkarkimi i Vjosa Osmanit: Ku përfunduan të larguarit e mëparshëm të LDK-së?

Gjatë ditës së djeshme, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e shkarkoi nga pozita e nënkryetares Vjosa Osmanin, duke bërë praktikisht edhe përjashtimin e saj nga partia. Por, cili ishte fati i “ish”-ëve të tjerë të LDK-së? Largimi i Vjosa Osmanit nga LDK-ja në fakt nuk do të ishte i pari largim i madh nga kjo […]
Largimi i Vjosa Osmanit nga LDK-ja në fakt nuk do të ishte i pari largim i madh nga kjo parti e vjetër politike e themeluar në dhjetorin e 1989-s.
Është i freskët ende kujtimi i trazirave brenda-partiake të vitit 2006, në atë që për shkak të dhunës në Kuvend u quajt “Kuvendi i karrigeve”. Në atë konflikt për pushtet, kontestues kishin qenë Nexhat Daci dhe Fatmir Sejdiu. Ky i fundit e kishte fituar garën, ndërsa Nexhat Daci e kishte formuar një parti politike të veten, të quajtur LDD.

Fati i Nexhat Dacit tashmë është i ditur. Daci nuk është më pjesë e politikës, pasi që partia e tij megjithëse performoi mirë në zgjedhjet e para të fundit të vitit 2007, kishte dështuar në zgjedhjet pasuese – duke mos arritur të krijonte një identitet të përveçëm politik, shkruan Periskopi.
Brenda LDD-së së atëhershme kishin qenë edhe shumë anëtarë aktualë të LDK-së, përfshirë Besa Gaxherrin e Gazmend Muhaxhirin.
Nga LDK-ja ishte larguar edhe politikanja e famshme Melihate Tërmkolli. Ajo kishte kaluar për një kohë të shkurtër në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për t’u kthyer më pas sërish te partia e saj bazë.

Pas humbjes së pozitës së kryetarit të partisë, edhe Fatmir Sejdiu (ish president i Kosovës) ishte larguar nga organet e larta të LDK-së. Ai kishte provuar disa herë të rikthehej por nuk ia kishte arritur qëllimit.
Largim të befasishëm nga LDK-ja kishte bërë edhe Shpejtim Bulliqi. Ky deputet ishte bërë i famshëm kur papritmas u shfaq si figura kryesore në temën e nxehtë të “Demarkacionit me Malin e Zi”. Ai madje ishte bërë kryetar i komisionit të ri qeveritar për korrigjimin e demarkacionit nga Qeveria Haradinaj, vazhdoi punën edhe gjatë qeverisë Kurti dhe nuk dihet nëse vazhdon të paguhet e të punojë edhe tash gjatë Qeverisë Hoti.

Ai ka ambicie për t’u bërë hiç më pak se kryetar i Podujevës – duke i marrë ish partisë së tij bastionin shumëvjeçar. /Periskopi












