Qeveria Kurti: 8 njerëzit që u shquan më së shumti në mbrojtje të pushtetit të VV-së

Qeveria Kurti po hyn në ditët dhe orët e fundit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që lejonte formimin e një qeverie të re nga shumica e re parlamentare e kryesuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Por, kush ishin avokuesit më të zëshëm të Qeverisë Kurti? Në këtë artikull, Periskopi iu sjell mbrojtësit më të […]
Në këtë artikull, Periskopi iu sjell mbrojtësit më të mëdhenj të Qeverisë Kurti që në një mënyrë a tjetrën krijuan bujë të madhe në opinionin publik.
Natyrisht, për shkak të rrethanave të pandemisë, Kuvendi i Kosovës nuk pati seanca të zakonshme në të cilat do të shquheshin deputetët e rinj të Vetëvendosjes në Legjislaturën e VII si deputetë mazhoritarë.
Megjithatë, përtej Kuvendit nuk munguan njerëzit që mbrojtën pozicionet politike të Vetëvendosjes dhe Qeverisë, madje edhe kur ato ndërronin vazhdimisht.
Në këtë listë prej dhjetë emrave që mbrojtën më me bujë Vetëvendosjen, mungojnë deputetë dhe ministra të shquar të së kaluarës si Glauk Konjufca, e të cilët nuk ishin aq të pranishëm në debatin publik.
Madje, Konjufca kishte dalë kundër Kurtit sa i përket deklaratave të tij se “ShBA-të kishin bërë presion që të rrëzohej qeveria e tij”, e po ashtu kishte thënë se “Këshilltari Shkëlzen Gashi nuk do të kishte vend në kabinetin e tij” pas deklaratave kundërthënëse për UÇK-në dhe Dick Martyn.
Sidoqoftë, këta janë dhjetë personalitetet që u shquan më së shumti në mbrojtje të Qeverisë Kurti sipas Periskopit:
8.Agim Bahtiri
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, kishte kontribuar shumë edhe gjatë zgjedhjeve elektorale të 6 tetorit për fitoren e Vetëvendosjes. Kjo parti arriti një tjetër rezultat të mirë në Mitrovicë, ndërsa Bahtiri përmendte vazhdimisht afërsinë me kandidadin e asokohshëm për kryeministër, Albin Kurtin duke thënë se “e njihte shpirtërisht atë”.
Sidoqoftë, një deklaratë e tij do të bënte bujë pas zgjedhjes së Kurtit si kryeministër.
Më 30 mars, vetëm pesë ditë pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, Bahtiri kishte përmendur edhe vëllavrasjet në rast se nuk do të shpalleshin zgjedhjet e reja në vend.

Kjo deklaratë – kishte thënë ai – se ishte nxjerrë nga konteksti. Megjithatë, presidenti Thaçi do ta bënte një denoncim në Prokurori për këtë deklaratë, pas së cilës Bahtiri do të merrej në pyetje.
Aktiviteti politik dhe prezenca në media në mbështetje të qeverisë së VV-së megjithatë ishte reduktuar për z.Bahtiri pas asaj deklarate.
7.Driton Tali
Edhe këshilltari politik i kryeministrit Kurti, Driton Tali, ishte mjaft aktiv në mbrojtje të Qeverisë së cilës i takonte dhe në sulm ndaj kundërshtarëve apo kritikëve.
Në një përpjekje për të sulmuar presidentin Thaçi, dhe duke kontestuar pasurinë e tij, Tali në mënyrë paksa të çuditshme kishte përmendur edhe “shtresën sociale” të tij si “fshatarësi e ulët” gjë që nxiti edhe reagime në rrjete sociale.

Blerim Latifi, profesori universitar, i kishte reaguar Talit duke thënë se gjatë kohës sa ky i fundit ishte deputet i AKR-së “kishte bërë servilizëm” ndaj vetë Thaçit duke e pritur me orë të tëra për një takim.
Tali kishte bërë padi ndaj Latifit, duke e fyer po ashtu në forma të ndryshme.
6.Elvis Hoxha
Elvis Hoxha është një tjetër këshilltar politik i kryeministrit Kurti që kishte bërë dhjetëra statuse në profilin e tij në Facebook në mbrojtje të kryeministrit Kurti, qeverisë, Vetëvendosjes dhe në sulme të ashpra ndaj kundërshtarëve politikë, sidomos LDK-së dhe presidentit Thaçi.

Në njërin prej statuseve të tij, ai i kishte quajtur votuesit e LDK-së dhe të PDK-së si të inkriminuar. Periskopi natyrisht që kishte raportuar për një gjë të tillë, pas së cilës Hoxha kishte reaguar duke dhënë një tjetër kuptim për këtë folje.
Sipas fjalorit të Oksfordit ky ishte definicioni i kësaj foljeje: “bëj (dikë) që të duket fajtor për ndonjë krim apo keq-bërje; fuqishëm të implikosh fajësinë e (dikujt).
Pra, në bazë të asaj çka kuptohet nga ky kuptim i ri i fjalës, Hoxha kishe nënkuptuar me këtë rast se votuesit e LDK-së dhe PDK-së thjesht “dukeshin” si kriminelë.
5.Vjosa Osmani
Vjosa Osmani ishte kandidate për kryeministre nga LDK-ja duke i rrezikuar seriozisht këtë pozitë kandidatit të VV-së, Albin Kurtit. Megjithatë, Osmani menjëherë pas formimit të Qeverisë nuk kishte pasur asnjë kritikë ndaj ish kundërkandidatit të saj të cilin e kishte kritikuar gjatë fushatës elektorale.

Ajo madje, i kishte dalë sërish kundër partisë së saj, duke mbrojtur pozicionet e Lëvizjes Vetëvendosje përkundër shkeljes së Marrëveshjes për Bashkëqeverisje (tekst i shkruar, dhe i nënshkruar nga të dy liderët) me rastin e shkarkimit të një ministri nga LDK-ja.
Znj.Osmani po ashtu edhe në komentin që i drejtoi Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Thaçi i doli kundër mundësisë së partisë së saj për të formuar qeverinë.
4.Tomë Gashi
Avokati i njohur kosovar, Tomë Gashi, ishte bërë edhe më i njohur kur në shkurt të këtij viti sulmoi një lypës të quajtur Fatos në Prishtinë.
Gashi madje e kishte akuzuar lypësin se ishte pjesë e organizimeve kriminale e se punonte për njerëz me vetura të shtrenjta.

Por, Gashi kishte marrë pjesë në shumë e shumë emisione për të mbështetur Vetëvendosjen dhe qëndrimet e Qeverisë Kurti. Ai e kishte mbrojtur Kurtin edhe për rastin e Agon Musliut, të riut 26 vjeçar nga Gjilani, i cili kreu vetëvrasje te konviktet në Qendrën e Studentëve ku ndodhej i karantinuar kundër vullnetit të tij.
3.Durim Berisha
Këshilltari tjetër i Kurtit që bëri bujë të madhe në mbrojtje të pozicioneve të Qeverisë ishte edhe Durim Berisha. Kjo bujë ndodhi për shkak se Berisha në fakt kishte shkelur një qëndrim të tijin të mëhershëm dhënë në një opinion në gazetën Koha Ditore para pak muajsh kur besonte që lejohej formimi i Qeverisë edhe nga partia e dytë.

Berisha kishte deklaruar për ndërrimin radikal të qëndrimit se nuk e kishte “rishikuar” opinionin e tij.
Shumë komentues e kishin parë me dyshim një shfajësim të tillë nga këshilltari i kryeministrit.
2.Albulena Haxhiu
Albulena Haxhiu ishte vazhdimisht njëra prej deputeteve më të zëshme të Vetëvendosjes. Ajo madje, në zgjedhjet e fundit të parakohshme i fitoi mbi 40 mijë vota, duke u bërë deputetja e tretë më e votuar në Vetëvendosje pas Konjufcës dhe Kurtit.
Por, Haxhiu nuk e ndali aktivitetin e saj në politikën ditore edhe pas emërimit si ministre e Drejtësisë.
Së fundi, Haxhiu e pranoi se kishte punuar për biznesmenin Faton Dalladaku, dhe kishte ofertuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimeve (AKP) si përfaqësuese ligjore.

Periskopi kishte gjetur se ajo madje ishte e përfshirë në një ofertë për Dalladakun që shkonte deri në 300 mijë euro.
Pa dyshim, ky pozicion i saji ishte mjaft e vështirë të mbrohej për shkak të qëndrimeve të ashpra kundër privatizimit që kishte pasur ndër vite Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo ishte kritikuar po ashtu edhe për shkak të përdorimit të veturës zyrtare për dërgimin e njërit prej djemve të saj në çerdhe, por e kishte arsyetuar veprimin duke thënë se përveç ministre ajo ishte edhe nënë.
1.Haki Abazi
Pak njerëz kishin pritur që Haki Abazi të ishte aktivisti i dytë i Vetëvendosjes në Qeveri, pas Albin Kurtit. Abazi mori detyrën e zëvendëskryeministrit, megjithëse në zgjedhje nuk kishte dalë para dy emrave të shquar të kësaj partie, si z.Glauk Konjufca dhe znj.Albulena Haxhiu.
Po ashtu, në fushatën elektorale ai ishte përfshirë në një konflikt fizik pas një debati të nxehtë me kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqajn.

Abazi kishte qenë veçanërisht i ashpër në denoncimin e rolit të LDK-së, ish partnerit qeveritar, në Qeverinë Kurti.
Natyrisht, Abazi kishte denoncuar edhe rolin e presidentit Thaçi në politikën vendore ndërkohë që Avdullah Hotin, e kishte quajtur “servil si brisku”.
Zv.kryeministri bëri po ashtu dhjetëra (ndoshta qindra) statuse politike që rrisnin tensionet në mbrojtje të pozicioneve dhe vendimeve të Qeverisë Kurti.
Emra të tjerë që duhen përmendur janë edhe deputeti Mefail Bajqinovci, deputetja Arbërie Nagavci, shefi i deputetëve të VV-së, Rexhep Selimi dhe emra të tjerë./Periskopi












