Çka tha Haki Abazi? Vjosa Osmani me parti të djathtë

Vjosa Osmani Sadriu i shkarkua dje nga pozita e nënkryetares dhe e anëtares së kryesisë së LDK-së. Kryetarja e Kuvendit kësisoj mbeti në një udhëkryq mjaft të pakëndshëm politik. Dje, ajo bëri të ditur se do të merrte pjesë megjithatë në garën tjetër zgjedhore. Por, ku do të jetë angazhimi i ri politik i znj.Osmani, […]
Por, ku do të jetë angazhimi i ri politik i znj.Osmani, e cila ka pasur qëndrime të përafërta në muajt e fundit me Lëvizjen Vetëvendosje?
Haki Abazi, ish numri 2 i Vetëvendosjes në Qeverinë Kurti, u deklarua më herët për këtë çështje.
“Sa i përket derës së hapur (për ardhjen e Vjosa Osmanit në VV), mendoj që Lëvizja Vetëvendosje e ka vërtetuar që është e hapur për të gjithë ata që mendojnë që mund të bashkëngjiten procesit drejt realizimit shtet-ndërtimit dhe krijimit të një shteti demokratik me transparencë dhe llogaridhënie. Mirëpo, mendoj që zonja Osmani ka detyrë e obligim dhe përgjegjësi ashtu edhe siç u deklarua edhe vetë mbrëmë pas këtij akti të turpshëm të votimit kundër saj që të udhëheqë anën e djathtë të politikës në Kosovë atë që pretendon e lidhur përbrenda idesë së Lidhjes Demokratike si parti shtet-formuese, por me koncept ideologjik të djathë”, tha Abazi.
Çka nënkupton një gjë e tillë?
Kjo nënkupton se Vjosa Osmani në të vërtetë nuk e ka të hapur derën brenda Vetëvendosjes nëse mban qëndrimet të cilat i kishte deri tash sa i përket konceptit ideologjik.
Por, edhe në aspektin e politikës ditore, një deklaratë e tilël mund të ketë shumë domethënie, shkruan Periskopi.
Duket që Vetëvendosje është më e interesuar që ta ketë një parti që graviton rreth saj si një satelit, se sa Osmanin brenda partisë së saj. Kjo nënkupton që Osmani do të krijojë një parti të re politike e cila do të përfaqësonte të djathtën brenda politikës tonë vendore.
Kujtojmë që megjithëse Vetëvendosje është parti e deklaruar si e majtë, diskursi i saj dominant ka qenë nacionalist. Ndërkohë që kjo parti edhe gjatë kohës në pushtet kishte qasje konservatore në ekonomike, e që lidhet pikërisht me partitë e djathta – duke i ofruar vetëm 178 milionë euro për Pakon Emergjente. /Periskopi












