“Peticioni i LVV-së me peshë zero, nuk ndryshon situatën politike”

Pavarësisht se peticionet nënshkruhen nga qytetarët e Kosovës, jo rrallë herë ka ndodhur që ato të mos të përfillen. Kështu nënshkrimet në peticione po konsiderohen të pa efektshme dhe me peshë zero. Njëjtë janë pritjet edhe për peticionin e fundit online që ka nisur Lëvizja Vetëvendosje kundër vendimit të Kushtetueses që i jep të drejtën […]
33 mijë qytetarë të Kosovës kishin nënshkruar një peticion në vitin 2014, me të cilin kërkohej të mos ngrihet çmimi i energjisë elektrike, por ky peticion në seancën plenare nuk ishte votuar.
Mbi 200 mijë të tjerë kishin dhënë nënshkrimet kundër marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Pas tri vitesh kjo marrëveshje ishte ratifikuar, ndërkaq peticioni kishte mbetur në sirtarët e Presidencës.
Ndërkohë, që peticionin që nisi dje Lëvizja Vetëvendosje për mbajtjen e zgjedhjeve, njohës politikë po e shohin me peshë zero.
Njohësi i rrethanave politike, Rasim Aliaj thotë për KosovaPress se ky peticion mund të ketë peshë politike, por jo edhe të ndryshim të situatës aktuale.
“Si ndryshim të ndonjë pozicioni aktual gati që peshën zero, ani pse atë peticion e nënshkruajnë qytetarët e Kosovës, mirëpo si peshë politike me ndryshimin e situatës pothuajse është i papërfillshëm duke qenë se ka të bëjë me një rast që ka vendim të Gjykatës Kushtetuese. Dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese si i tillë duhet të zbatohet pavarësisht që a nënshkruajnë qytetarët peticion ose jo. Në këtë kuptim i bie si kundër peshë e peticionit karshi një vendimi të Kushtetueses, mund të jetë edhe i papërfillshëm”, tha Aliaj.
Sipas tij, këtë peticion mund ta nënshkruajnë me numër të letërnjoftimit persona të cilët nuk kanë të drejtën e votës në zgjedhje. Kjo sipas tij tregon edhe përmbajtjen e peticioneve të tilla, që siç thotë ai, nuk kanë rezultuar me peshë dhe ndryshim të gjendjes.
Dje në një konferencë për media, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu kishte thënë se konjuktura e vjetër, ata që sipas tij dolën humbës në zgjedhjet e 6 tetorit, u bashkuan kur e panë se njerëzit e tyre po “fluturojnë” prej bordeve.
Sipas Aliajt, hapi i parë i LVV-së do të jetë mbledhja e nënshkrimeve nga qytetarët për peticionin me të cilin kërkohen zgjedhje të reja në vend.
“Kosova ka nevojë të menjëhershme për zgjedhje që të zgjidhet kriza politike dhe të përcaktohet rruga që do të marrë vendi drejt ndryshimit dhe çlirimit prej korrupsionit, apo drejt rikthimit të të korruptuarve. Me këtë peticion, ne qytetarët e Kosovës, duke vendosur nënshkrimin dhe numrin e letërnjoftimit, bëjmë të ditur se duam zgjedhje, dhe se vetëm qeveria e dalë nga zgjedhjet ka legjitimitet për të qeverisur”, tha Aliaj.
Ndërkohë, që Rasim Aliaj vë theksin se LVV do të bëjë rezistencë me veprimet e saj politike, për të kundërshtuar formimin e qeverisë, por që sipas tij emra me peshë në këtë parti nuk janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“LVV do të luajë dy role, rolin që e ka në institucionet e Kosovës që përfshin edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga LVV, dhe aksionet e tyre në rrugë apo aktivizimin e tyre në rrugë që janë forma të protestave të caktuara. E kemi parë një moderim të protestës nga LVV. Nuk besoj që do t’i konvenonte as nga ana taktike, por as politikisht që veprimet e tyre politike për të kundërshtuar një qeverisje të ardhshme do të rezultonte me protesta të dhunshme. Nuk do t’i konvenonte as politikisht, mirëpo as taktikisht në rrethana të tilla ku ende nuk e kemi të qartë situatën me pandeminë”, tha Aliaj.
Ndryshe, pas vendimit të Kushtetueses për formimin e qeverisë së re, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur qëndrimin për shkuarje në zgjedhje të reja si zgjidhja e vetme. Kjo parti ka nisur një peticion që do të zgjasë deri më 30 qershor, dhe deri më tani ai është nënshkruar nga 30 mijë persona.












