Edhe Vjosa Osmani beson që Kushtetuta i jep të drejtën për formim të Qeverisë edhe partive tjera

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kishte dhënë komentin e saj mbi dekretin e presidentit Thaçi që e nominonte Avdullah Hotin për kryeministër, por ky koment ishte keqkuptuar gjerësisht. Në të vërtetë, Osmani i dilte kundër dekretit të Presidentit por jo edhe partisë së saj. Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese që i hap […]
Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë Avdullah Hotit që të bëhet kryeministër është cilësuar si i pritshëm dhe i paanshëm nga shumica e akterëve të politikës tonë.
LDK, PDK, AAK, Nisma, AKR, PSD e kanë quajtur këtë vendim në përputhje me frymën kushtetuese por në anën tjetër Vetëvendosje e ka cilësuar skandaloz dhe të papranueshëm.
Por, nëse lëmë anash dekretin e Presidentit Thaçi, cili është pozicioni i Vjosa Osmanit?
Në komentin e saj dërguar Gjykatës Kushtetuese, Vjosa Osmani ishte marrë ekskluzivisht me dekretin e Presidentit Thaçi, ndërkohë që kryeministri Kurti kishte qenë shumë më i përgjithshëm duke përmendur edhe pika të tjera, shkruan Periskopi.
Në një intervistë në Pressing, madje ajo kishte deklaruar se komenti i saj nuk ishte kundër partisë së saj, por kundër presidentit Thaçi.
Pozicioni i saj kësisoj është kundër Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që kandidatja për kryeministre beson se jo vetëm të parit i takon e drejta për formimin e Qeverisë.

Ajo një qëndrim të tillë e kishte artikuluar edhe në vitin 2014 kur avokonte që VLAN të merrte të drejtën për të formuar Qeverinë, dhe e cila e kishte Ramush Haradinajn për mandatar.
Aktgjykimi i asokohshëm i Kushtetueses e kishte konfirmuar një gjë të tillë, por kishte deklaruar se partisë që dilte e para në zgjedhje i takonte e drejta për propozimin e kryetarit/kryetares së Kuvendit e po ashtu i takonte edhe e drejta që të ofronte mandatarin e para në afatet e përcaktuara me Kushtetutë. Ky vendim e linte në diskrecion të presidentit se si duhej vepruar pas herës së parë.
Megjithatë, Osmani konsideron që Qeveria Hoti përbën shkelje të zotimeve që kishin dhënë para zgjedhjeve të 6 tetorit. /Periskopi












