E vërteta e trishtë e Reciprocitetit: I plotë, i pjesshëm, i 15 qershorit, i 1 prillit, gradual, tregtar, politik, i Haradinajt

Reciprocitet. Kështu quhej masa me të cilën Kurti premtoi se do ta zëvendësonte maskën e “tarifës doganore 100%” të vendosur nga Qeveria Haradinaj. Por, kjo masë doli se nuk ishte aspak e mirë-menduar duke u ndryshuar kohë pas kohe. Periskopi iu sjell ndryshimet e vazhdueshme të kësaj mase. Në fillim e kishim përmendjen e Reciprocitetit […]
Në fillim e kishim përmendjen e Reciprocitetit të plotë. Më pas ishte reciprociteti i pjesshëm. Gradual. Reciprociteti i 15 qershorit. Reciprociteti i vendosur paralelisht me heqjen e taksës. Reciprociteti i 1 prillit. Dhe tash kemi reciprocitetin shtesë.
Së fundi, kryeministri Kurti njoftoi se do të vendosej një reciprocitet shtesë që iu kërkonte mauneve që për destinacion e kishin Kosovën që të shkruanin si emër destinacioni “Republika e Kosovës”.
Por, kjo masë e vendosur ndaj Serbisë del të jetë qesharake nëse i shikojmë historinë e saj të gjatë.
Pasi e hoqi tarifën doganore (taksa 100%) ndaj mallrave të importuara nga Serbia, “reciprociteti” del të jetë pengesa që e ka vënë Kurti për rinisjen e dialogut me Serbinë. Madje, “reciprociteti” ishte mbrojtësi i Kosovës nga marrëveshja për “ndarje”, ekzistencën e së cilës e kanë mohuar ShBA-të.
Reciprociteti i plotë
Reciprociteti fillestar ishte i plotë dhe i gjithanshëm. Ai përfshinte reciprocitetin tregtar që do të vendoste barriera jo-tarifore tregtare ndaj Serbisë, e po ashtu edhe reciprocitetin ekonomik e sidomos atë politik.
Nuk ndodhi.
Reciprociteti i plotë dhe i gjithanshëm i Kurtit u përmend gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.
Reciprociteti që zëvendësonte menjëherë tarifën
Vetëm një javë pasi mori detyrën e kryeministrit të vendit, Kurti sqaroi opinionin se Taksa ndaj mallrave të importuara nga Serbia do të hiqej PORSA të vendosej Reciprociteti.
Reciprociteti i 15 qershorit
Por, nuk kaluan as dy javë dhe ai ndërroi mendje. Në një konferencë për media në Qeveri, ai më pas deklaroi që “tarifa do të hiqej më 15 mars për lëndën e parë, dhe pastaj krejtësisht më 1 prill”. Po reciprociteti? Reciprociteti do të vendosej më 15 qershor.
As me një gjë të tillë nuk u pajtua i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell dhe kjo e shtyri Kurtin që me reciprocitetin të merrte rrugë të tjera.
Kthimi te Reciprociteti që zëvendësonte menjëherë taksën
Kurti nuk dëgjoi kërkesën amerikane që reciprociteti të mos vendosej fare. Kjo bëri që marrëdhëniet me LDK-në, partnerin qeveritar të acaroheshin aq sa të shkarkohej ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, e më vonë edhe vetë Qeveria më 25 mars.
Reciprociteti i Haradinajt
Kjo bëri që Kurti ta hiqte taksën më 1 prill dhe ta vendoste një reciprocitet që veçse kishte qenë në zbatim. Reciprocitetin e Qeverisë Haradinaj.
Edhe Qeveria Haradinaj krahas vendosjes së taksën kishte vënë edhe një formë të reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë që mundohej të luftonte barrierat jo-tarifore që bënte Serbia ndaj produkteve që i eksportonte Kosova në drejtim të saj.
Reciprociteti fleksibil
Me vendimin për reciprocitetin shtesë, vetëm disa ditë para se të largohet nga zyra e kryeministrit, Kurti ka treguar karakterin e vërtetë të masës së reciprocitetit. Kemi të bëjmë me një masë fleksibile që ndryshon në varësi të rrethanave. Madje, jo thjesht të rrethanave që imponohen nga Serbia, por edhe nga rrethana të jashtme e të brendshme politike.
Vendimi i sotëm i Kurtit është e qartë se ka për qëllim të thithë edhe përfitime të reja elektorale në kurriz të reputacionit të vendit. Tashmë, edhe Mirosllav Lajçak, të cilin Kurti e kishte pranuar si ndërmjetësues të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i doli kundër kësaj mase dhe kjo bëri që Kurti për herë të parë të reagonte me kundërshtim edhe ndaj tij.
Duke mos qenë i prezicuar në kohë dhe as i definuar sa i përket masave kundër Serbisë, Reciprociteti mbeti kësisoj thjesht një mjet elektoral në dorën e kryeministrit. /Periskopi












