Nxitet luftë politike në kohën e Koronavirusit, vihet në rrezik jeta e qytetarëve

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka propozuar shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme në vend për shkak të Koronavirusit të Ri, Covid-19. Deri tash janë konfirmuar 19 raste në Kosovë por mjekët kanë thënë se numri do të rritet në vazhdimësi. Sidoqoftë, në mbrëmjen e kaluar me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u […]
Deri tash janë konfirmuar 19 raste në Kosovë por mjekët kanë thënë se numri do të rritet në vazhdimësi.
Sidoqoftë, në mbrëmjen e kaluar me mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u nxor në pah një luftë tjetër politike: kush do të ishte ‘komandant’ i luftës kundër Koronavirusit?
Presidenti Hashim Thaçi propozoi shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme por kjo u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe eksponentët e saj, përfshirë Veton Surroin i cili nënkuptoi se një propozim i tillë bëhej që presidenti të bëhej protagonist i kësaj lufte, shkruan Periskopi.
Por, megjithëse argumentet pro apo kundër shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme janë krejtësisht legjitime – një logjikë e tillë e protagonizmit politik rrezikon seriozisht jetën e qytetarëve të Kosovës në kohën e Covid-19shit.
Pse kjo logjikë rrezikon jetën e qytetarëve?
Nëse Qeveria dhe Presidenca shohin në veprimet e njëra-tjetrës thjesht përfitimet politike nga një gjë e tillë, atëherë mos-besimi do të çojë pashmangshëm në mosveprim.
Më konkretisht, nëse Qeveria Kurti vendos ta shohë situatën si z.Surroi, atëherë partia Vetëvendosje dhe ndoshta edhe LDK-ja nuk do të veprojnë asnjëherë sipas sugjerimeve të Presidentit të Kosovës.
Edhe më konkretisht, nëse gjendja në Kosovë përkeqësohet deri në atë masë sa procedurat e ndryshme bëhen barrë e madhe veprimi, dhe Gjendja e Jashtëzakonshme bëhet domosdoshmëri – atëherë pengesa e veprimeve të menjëhershme mund t’iu kushtojë me jetë qytetarëve të vendit.
Tash nuk është koha për luftë politike. Tash është koha për bashkërendim institucional dhe veprim. E po ashtu, nuk është koha as për këshillat dashakëqija të z.Surroi, për të cilin vetë Kurti dikur thoshte se “e sheh në ëndërr Titon”. /Periskopi












