Kush na përçau? Gjërat tmerruese që nuk pritej të ndodhnin në Kosovë gjatë luftës me Koronavirusin

Se Kosova është tepër e polarizuar politikisht dhe se po cenon liritë dhe të drejtat civile të njerëzve, kjo dihej edhe më parë. Por, megjithatë, me shpërthimin e Koronavirusit shpresohej se politika kosovare do të unifikohej në të mirë të interesit të përgjithshëm. Këto janë disa nga ngjarjet të cilat kanë një rëndësi të jashtëzakonshme […]
Këto janë disa nga ngjarjet të cilat kanë një rëndësi të jashtëzakonshme por që janë shpërfillur nga aktivistët, mbështetësit, zyrtarët dhe analistët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Testimet elitare
Kryeministri Kurti me krejt stafin e tij ishin testuar për koronavirusin e ri, Covid-19 pavarësisht që nuk kishin raportuar për ndonjë simptomë e për ndonjë kontakt me të infektuarit. Kjo kishte ndodhur edhe pse mundësia e testimit nuk iu ishte dhënë shumë qytetarëve të tjerë, përfshirë stafit të Emergjencës në Viti që kishte pasur kontakt direkt me 77 vjeçarin e infektuar dhe po ashtu banorëve të fshatrava të goditura nga kjo sëmundje e tmerrshme.
Natyrisht, ky u cilësua si një lajm i parëndësishëm – por nuk do të ishte i tillë nëse ai do të bëhej nga ish kryeministri Haradinaj, ish kryeministri Mustafa apo ish kryeministri Thaçi. Një lajm i tillë do të konsiderohej me të drejtë si skandaloz.
Kushtet tmerruese në Klinikën Infektive dhe nëpër Karantina
Periskopi kishte botuar një varg artikujsh të ndryshëm që alarmonin për gjendjen tmerruese në Klinikën Infektive dhe po ashtu nëpër Karantina të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës.
Një qytetar nga Shqipëria që ishte vendosur në Karantinë në Infektivën e Prishtinës, i dërgoi Periskopit një video ku shprehte shqetësimin e thellë për kushtet alarmante higjienike. Çarçafët ishin të papastër, mungonin tubat ventilues, ishte e pamundur të kryheshin në tualet nevojat higjenike etj.
Gjendje të tmerrshme të kushteve kishin raportuar edhe të karantinuarit në Konviktet në Prishtinë. Autoritetet nuk kishin dezinfektuar e përgatitur dhomat e tyre, dhe sulmet nga të karantinuarit kishin qenë të shumta. Boksierja më e mirë kosovare, Donjeta Sadiku, këngëtari Robert Berisha, dhe shumë të tjerë tregonin për gjendjen tmerruese – por kjo ra në vesh të shurdhër.
Shkarkimi i Agim Veliut
Se pse u desh të shkarkohej Agim Veliu nga Albin Kurti në këtë kohë – kjo është e pakuptueshme. Ai mund ta kishte shkarkuar Veliun më herët, apo edhe më vonë – por e vërteta është se nuk e kishte pasur asnjë vërejtje për të.
I ashtuquajturi kryeministër i Kosovës e vuri interesin e qytetarëve të vendit në rrezik duke u marrë me konspiracione të ndryshme pa asnjë bazë.
Ai u mor me “fake news” duke konsideruar që Veliu kishte qenë i sinkronizuar me Thaçin për “gjendjen e jashtëzakonshme”. A ofroi ndonjë provë për këtë gjë? As edhe një të vetme.
Në të vërtetë, Veliu po ndiqte qëndrimin e liderit të partisë së tij, z.Isa Mustafa.
Polarizimi i mëtejmë i shoqërisë
Shoqëria kosovare e rrezikuar nga Koronavirusi u polarizua edhe më tej nga kryeministri Kurti në një konferencë shtypi ku akuzoi pa asnjë të dhënë presidentin Thaçi se po bënte përpjekje që t’i merrte pushtetin. E vërteta ishte se Thaçi, në koordinim me të gjithë liderët e partive tjera politike, thjesht e konsideronin gjendjen në Kosovë si të jashtëzakonshme. Mund të kishin të drejtë apo të mos kishin të drejtë – por nuk është se prapa kësaj gjendjeje po provohej t’i merrej pushteti Kurtit në ndonjë formë.
Kjo bëri që të shtoheshin ofendimet, kërcënimet, intimidimet e linçimet në rrjetet sociale. Dhe kjo nuk u bë as nga anëtarët e LDK-së, as nga të partive opozitare, por nga mbështetësit e Vetëvendosjes të nxitur nga gjuha e papranueshme e liderit të tyre.
Në të vërtetë, dekreti i Presidentit Thaçi nuk u çua në Kuvend dhe as nuk u ratifikua. Mirëpo, pyetja që duhet shtruar është: çka nëse situata përkeqësohet aq shumë sa duhet të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme? Atëherë, natyrshëm ky veprim do të shihet si interes partiak dhe jo si interes i përgjithshëm – ashtu siç edhe është.
Në vend se Koronavirusi të bashkonte spektrin politik dhe të bashkonte qytetarët e vendit duke promovuar solidaritet, përmes Kurtit u bë e mundur e dyta: u promovua urrejtje dhe përçarje e mëtejme edhe në këtë kohë të rëndë.












