Zëdhënësi i KFOR-it për Periskopin: FSK nuk mund të shkojë në veri pa na njoftuar

Nje letërkëmbim mes Hashim Thaçit në kohën kur ishte kryeministër, në vitin 2013, me ish- sekretarin e NATO-s Anders Fogh Ramussen, ka ngjallur debat në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti e ka paraqitur atë si një ‘marrëveshje sekrete’ Thaçi – Rasmussen. Kurti thirri edhe konferencë të jashtëzakonshme, ku nuk tha diçka të veçantë, përvecse ‘e bëri […]
Nje letërkëmbim mes Hashim Thaçit në kohën kur ishte kryeministër, në vitin 2013, me ish- sekretarin e NATO-s Anders Fogh Ramussen, ka ngjallur debat në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti e ka paraqitur atë si një ‘marrëveshje sekrete’ Thaçi – Rasmussen.
Kurti thirri edhe konferencë të jashtëzakonshme, ku nuk tha diçka të veçantë, përvecse ‘e bëri publike këtë marrëveshje’ pasi Thaçi nuk po e pret në takim. Polemikat filluan, për faktin se në letrën që Kurti ia kishte nisur kryeparlamentares Osmani, ia sqaronte edhe nenin për ‘shkarkimin e Presidentit’.
Ndërkohë, Periskopi ka kontaktuar me zëdhënësin e KFOR-it Daniele Riggio, përgjigja e të cilit është si në vijim:
“Misioni i KFOR-it ka dhënë një kontribut të madh për stabilitetin në vendet e Ballkanit Perëndimor në 20 vjetët e fundit. Vitin e kaluar, kemi shënuar 20 vjetorin e KFOR-it. Misioni ynë mbetet i pandryshueshëm, bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ne jemi këtu për një ambient të sigurt për njerëzit në Kosovë dhe kjo është ajo që bëjmë. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke ndjekur vendimet për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe këtë e bëjmë në bashkëpunim me NATO’n. Ky diskutim po vazhdon ende. Çdo lëvizje nga Forca e Sigurisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës duhet të bëhet me një njoftim paraprak me Komandatin e KFOR-it.
Për 20 vjet, paqja dhe stabiliteti i Kosovës kanë qenë prioritet për NATO-n. Mandati jonë nuk ka ndryshuar dhe ne do të vazhdojmë të kemi mission paqeruajtës. NATO poashtu mbështet rifillimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si një zgjidhje afatgjate politike për rajonin”.
Lidhur me publikimin e letrës nga ana e kryeministrit Kurti, kanë reaguar politikanë e analistë.
Lideri i opozitës Kadri Veseli, ka thënë se është shqetësuese që për herë të parë një kryeministër i Kosovës del kundër NATO-s.
“Është shqetësues fakti që për herë të parë një Kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës. Gjatë luftës sonë çlirimtare, kam qenë vetë dëshmitar i veprimeve të kësaj Aleance, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ne, në interes të Kosovës, çlirimit të vendit tonë dhe kthimit të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre. Qëllimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe jo largimi i tyre nga cilido cep i Kosovës. Sot, sovraniteti i Kosovës nuk rrezikohet nga NATO dhe marrëveshjet me NATO-n, por nga agresiviteti dhe kërcënimet e Serbisë. NATO është garanci e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës”, ka shkruar Veseli.
Edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në Facebook, ka sqaruar këtë situatë, duke e quajtur vec tjerash Kurtin populist.
“Marrëdhënia me NATOn për Kosovën është ekzistenciale, dhe duhet të ruhet e kultivohet me urtësi e mençuri, gjithnjë duke respektuar të kaluarën dhe mandatin në fuqi.
Me marrëdhëniet tona strategjike nuk bën të luhet për disa tituj populist.
Lexoni Ligjet që kemi votuar dhe aty i keni të gjitha përgjigjet.
Kryeministri Kurti i ka këto korrespodenca në dispozicion të plotë në Kryeministri, poashtu i ka votuar ligjet ku FSK-ja mandatohet pa kufizime territoriale në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, dhe do të duhej të jetë i vetëdijshëm tashmë se sa historik për përmbylljen e brendshme të sovranitetit të Kosovës ka qenë përgaditja, dërgimi, dhe votimi unanim i Ligjeve të FSK-së në dhjetor 2018”, shkruante veç tjerash Haradinaj.
Analisti Ramush Tahiri, në një përgjigje për Periskopin, ka thënë se marrëveshja e Thaçit me NATO’n nuk është shkelje e Kushtetutës.
“Unë s’po i shoh kritikat që po ja bëjnë Thaçit dhe mund të konstatojnë që nuk është shkelje e Kushtetutës sepse ka drejtë me ba marrëveshje dhe e ka ba në interes të vendit. Po misioni e NATO’së e kemi pasë më herët, nuk është që e ka pru këtu, dhe në këtë bazë nuk e zë që duhet me dalë në Kuvend”, u shpreh ai./Periskopi/












