Sërish odë burrash: Nga 15 pozicionet e rëndësishme qeveritare, vetëm 26 për qind gra (Emrat)

Tashmë dihen emrat e të gjithë ministrave që do të përbëjnë qeverinë e Albin Kurtit, e po ashtu dihen edhe emrat e dy zëvendëskryeministrave. Nuk dihen ende megjithatë emrat e ministrave të komuniteteve dhe emrat e zëvendësministrave. Sot në mëngjes, kryetari i VV-së bashkë me atë të LDK-së prezantuan para publikut arritjen e marrëveshjes qeveritare […]
Sot në mëngjes, kryetari i VV-së bashkë me atë të LDK-së prezantuan para publikut arritjen e marrëveshjes qeveritare mes tyre pas 3 muajsh e 26 ditësh negociata intensive.
Nga 12 ministri sa parashihej të ishte kjo qeveri, u tha nga liderët se kjo kishte ndryshuar dhe se tashmë qeveria ishte rritur për 3 ministri, shkruan Periskopi.
Lista serbe do të ketë dy ministri, VV e LDK nga gjashtë ndërsa pakica joserbe një edhe pse në takimin e mbajtur sot me z.Kurti kanë kërkuar edhe një tjetër.
Zv.kryeministër i parë do të jetë Avdullah Hoti nga LDK. Zv.kryeministër i dytë do të jetë Haki Abazi nga VV që nënkupton se tri pozitat kryesore qeveritare do të udhëhiqen nga tre burra.
Ndërkohë, këta janë emrat e ministrave:
VV:
Ministria e Punëve të Jashtme – Glauk Konjufca
Ministria e Drejtësisë – Albulena Haxhiu
Ministria e Financave – Besnik Bislimi
Ministria e Ekonomisë – Rozeta Hajdari
Ministria e Shëndetësisë – Arben Vitia
Ministria e Integrimeve Evropiane – Blerim Reka
LDK:
Ministria e Punëve të Brendshme – Agim Veliu
Ministria e Infrastrukturës – Lumir Abdixhiku
Ministria e Bujqësisë – Besian Mustafa
Ministria e Arsimit – Hykmete Bajrami
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi
Ministria e Mbrojtjes – Anton Quni
Nga kjo del se nga 15 postet më të rëndësishme qeveritare, vetëm katër do të jenë në duar të grave. Kjo nënkupton se vetëm 26,66 për qind e qeverisë do të jetë e përbërë nga gratë.
Këto parti politike para zgjedhjeve kishin premtuar se do ta kishim një qeveri që do të përbëhej 50 për qind nga gratë duke reflektuar me ndarjen e përgjithshme të popullsisë në gjini e po ashtu duke mësyrë uljen e pabarazisë gjinore në vendim-marrje./Periskopi












