Robelli zhgënjehet menjëherë me Kurtin e Osmanin: E nisën me gjëra të panevojshme e shpërfillje rregullash

Përkrahësi i madh i koalicionit Vetëvendosje-LDK, Enver Robelli, sapo ka publikuar një reagim të papritur pas zhvillimeve të ditës së sotme ku qeveria e re dhe kryetarja e re e Kuvendit po akomodohen në zyret e tyre. Z.Robelli deklaroi se Kurti dhe Osmani “po i nisin mandatet e tyre me beteja simbolike dhe krejtësisht të […]
Z.Robelli deklaroi se Kurti dhe Osmani “po i nisin mandatet e tyre me beteja simbolike dhe krejtësisht të panevojshme.”
Kurtit, Robelli i përmendi mos-përmendjen e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës ndërsa Osmanit heqjen e fotografisë së presidentit aktual në Kuvend, shkruan Periskopi.
Gazetari i njohur nga diaspora jonë konsideron që presidenti Thaçi është legjitim dhe meqë ligji e kërkon fotografinë e tij në institucione, ky rregull “nuk mund të injorohet.”
“Kurti vetëm sa do të bëhet qesharak nëse përpiqet që duke keqpërdorur emrat e Azem Bejtës, Ukshin Hotit apo Adem Jasharit të lë në hije Ibrahim Rugovën. Kur i përmendi gjithë ata burra dje Albin Kurti, nuk kishte edhe ndonjë grua? Katarina Josipi? Nuk kishte vend aty për Agim Ramadanin? Ose për Nikë Prelën dhe Idriz Gjilanin? Jo, sepse Albin Kurti i di të gjitha.” – shkruan ndër tjerash Robelli.
Kujtojmë që sot z.Kurti në fjalimin e tij nuk e përmendi fare presidentin Rugova ndërkohë që Osmani e hoqi fotografinë e presidentit Thaçi nga zyra duke e vendosur atë të presidentit të mëparshëm, z.Ibrahim Rugova.
Më poshtë e keni statusin e plotë në Facebook:
Zhgënjimi i parë
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani po i nisin mandatet e tyre me beteja simbolike dhe krejtësisht të panevojshme. Kurti duke mos e përmendur Ibrahim Rugovën, ideatorin e shtetit të Kosovës. Osmani duke hequr fotografinë e presidentit aktual në Kuvend. Thua se kur u votuan më 6 tetor, Kurti dhe Osmani shiheshin si mjeshtër për korniza të portreteve dhe pasardhës të Marubit. Janë zgjedhur për diçka krejt tjetër.
Edhe në Shqipëri i njëjti problem me fotografitë: meqë Edi Ramës nuk i pëlqen presidenti që e ka zgjedhur vetë, ai i vendos nëpër mure portretet e Ismail Qemalit.
Po u bë një ditë dikush nga VV-ja kryetar Kuvendi, mund ta heq fotografinë e Ibrahim Rugovës dhe ta vendosë atë të Ukshin Hotit. Pastaj vjen tjetri edhe e heq atë dhe vendos ndonjë tjetër. Kjo betejë me «slika» është parapolitike, për të mos përdorur fjalë më të rënda.
Presidenti aktual është legjitim. Nëse ligji thotë: fotografia e tij duhet të jetë e varur në institucione, rregullat nuk mund të injorohen. Ndërsa Kurti me retorikën e tij nuk mund t’ia imponojë qytetarëve paraardhësit, sepse mund të ketë në këtë shoqëri edhe njerëz që thonë: jemi pasardhës të Ibrahim Rugovës. Se çfarë vendi ka në shoqërinë shqiptare të Kosovës Ibrahim Rugova, kjo është parë – më së largu – kur u varros. Kurti vetëm sa do të bëhet qesharak nëse përpiqet që duke keqpërdorur emrat e Azem Bejtës, Ukshin Hotit apo Adem Jasharit të lë në hije Ibrahim Rugovën. Kur i përmendi gjithë ata burra dje Albin Kurti, nuk kishte edhe ndonjë grua? Katarina Josipi? Nuk kishte vend aty për Agim Ramadanin? Ose për Nikë Prelën dhe Idriz Gjilanin? Jo, sepse Albin Kurti i di të gjitha.
Në përgjithësi kjo mania e fotografive nëpër institucione dhe e ngacmimeve me emra nga historia ka diçka nga e kaluara e mykur komuniste. Meqë secila palë i ka heronjtë e vet dhe nuk ka konsensus as partiak për këtë, pse të mos hidhet anash kjo «slikomani» arkaike dhe të nxirret një ligj që, për shembull, thotë se në institucionet më të larta të vendit duhet të qëndrojë e varur fotografia e Hasan Prishtinës? Ose a bën pa fotografi fare? Flamuri i Kosovës. Ndonjë citat me rëndësi nga Kushtetuta. Kaq. Sepse Kosova ka halle të tjera. Vetëm shikojeni shumëfishimin e të sëmurëve nga kanceri…












