Qeveria Kurti e bëri Agim Veliun njeriun më të fortë në LDK: Këto janë tri veprimet e sotme

Qeveria Kurti e kishte një kundërshtar publik të saj, Agim Veliun. Z.Veliu raportohet se ishte një ndër zërat më të rreptë kundër ofertave që i bënte Vetëvendosje, dhe duket se kjo gjë është shpërblyer. Për të “pajtuar” Veliun me koalicionin që formon Qeverinë Kurti, LDK i ka ofruar atij pushtet të madh në institucionet tona. […]
Për të “pajtuar” Veliun me koalicionin që formon Qeverinë Kurti, LDK i ka ofruar atij pushtet të madh në institucionet tona.
Kjo parti politike, gjatë ditës mblodhi Këshillin e Përgjithshëm, dhe e mori një vendim të papritur duke e rritur numrin e nënkryetarëve nga tre në tetë sosh, shkruan Periskopi.
Po ashtu, kjo parti politike caktoi edhe emrat e ministrave, ndër të cilët pamë edhe atë të z.Veliu të vendosur krahas ministrisë më të rëndësishme: asaj të Punëve të Brendshme.
Kjo i jep kuptim ngulmimit të Vetëvendosjes me këtë ministri, që siç duket ka qenë e predestinuar të përfundonte te z.Veliu.
Me vendimin për shtimin e numrit të nënkryetarëve, pozicioni i znj.Vjosa Osmani bëhet më i lëkundshëm edhe pse i mori mbi 170 mijë vota në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Kjo e bën ish kandidaten për kryeministre të barabartë brenda LDK-së me figura si Ismet Beqiri, Haki Rugova, Imri Ahmeti, Gazmend Muhaxherin dhe Anton Qunin.
Znj.Osmani nga partia u propozua vetëm si kryetare e re e Kuvendit të Kosovës duke zëvendësuar z.Glauk Konjufca.
Por, ky vendim i partisë është protestuar ashpër nga Osmani që duket se ka pasur vërejtje për mënyrën se si janë zgjedhur ministritë.
Z.Veliu përmes ministrisë së Punëve të Brendshme ia doli që të merrte ministrinë më të rëndësishme, por kufiri i pushtetit të tij në Qeverinë Kurti shtrihet edhe më gjerë se kaq.
Është Avdullah Hoti i cili do të jetë zv.kryeministër i parë i Kurtit dhe praktikisht njeriu i dytë në këtë qeveri. Z.Hoti në të kaluarën ishte këshilltar i Agim Veliut në ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë [MAShT] dhe vazhdon të ruajë marrëdhënie të mira me të. /Periskopi












