PDK: Vjosa Osmani shkeli ligjin, urgjentisht të kthehet fotografia zyrtare e Presidentit

Vjosa Osmani, e zgjedhur natën dhe me votat e Listës Srpska, ka shkelur rëndë ligjin NR.03/L-132 Për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës duke hequr fotografinë zyrtare të Presidentit. Kështu e ka nisur reagimin Partia Demokratike e Kosovës, pas veprimit të kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila e hoqi nga zyra […]
Vjosa Osmani, e zgjedhur natën dhe me votat e Listës Srpska, ka shkelur rëndë ligjin NR.03/L-132 Për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës duke hequr fotografinë zyrtare të Presidentit.
Kështu e ka nisur reagimin Partia Demokratike e Kosovës, pas veprimit të kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila e hoqi nga zyra fotografinë e Presidentit Hashim Thaçi.
“Zbatimi i ligjit nuk varet nga dëshirat e askujt pavarësisht bindjeve politike dhe këtë gjë ajo duhet ta dijë mirë si eksperte dhe ligjëruese e jurisprudencës. Me veprimin e saj primitiv, kryekuvendarja e zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, Vjosa Osmani përfaqëson mentalitetin e vjetër që synon hakmarrjen dhe përçon gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes së qytetarëve” , thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK konsideron se që në ditën e parë në pozitën e re, Osmani po dëshmon se përfaqëson vetëm interesin e saj brenda partisë së vet dhe jo ti shërbejë institucionit ku është zgjedhur.
Sipas PDK-së, me këtë veprim anti-ligjor ajo gjithashtu fyen rëndë edhe institucionin që drejton, Kuvendin e Kosovës, tempullin e demokracisë dhe ligjvënies në vendin tonë.
“Partia Demokratike e Kosovës ka dhënë shembull pas zgjedhjeve të 6 tetorit duke mbetur në opozitë dhe siguruar tranzicionin e pushtetit, por nuk do të toleroj që të cenohet rendi kushtetues e ligjor dhe asnjë institucion i rëndësishëm i Kosovës. PDK-ja është poashtu duke shqyrtuar dhe analizuar anën legale të zgjedhjes së saj si kryetare natën e mbrëmshme”, theksohe tutje në reagim.
PDK në fund bën thirrje që kthimi i fotografisë së Presidentit të ndodhë sa më parë.
“Administrata e Kuvendit të Kosovës të reagoj pa vonesë, në të kundërtën, fotografia e Presidentit do të rikthehet në pozitën e vet me çdo kusht, si ruajtje e karakterit kushtetues dhe sovranitetit të vendit”, thuhet në reagimin e PDK-së./Periskopi/












