Nga Lëvizja Vetëvendosje në Shpurdhja e Pavendosur: Momenti historik kur Pushteti e kapë Albin Kurtin (Foto)

Albin Kurti nga sot nuk do të duhej të ishte kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Por, Vetëvendosje nuk ekziston si organizim partiak i dikurshëm, dhe jo vetëm statuti që u hoq e që i kërkonte dorëheqje. I ndodhur në një platformë para një tepihu të kuq krah Behgjet Pacollit, ai qëndroi gatitu para flamurit të Kosovës, […]
I ndodhur në një platformë para një tepihu të kuq krah Behgjet Pacollit, ai qëndroi gatitu para flamurit të Kosovës, që po valëvitej më krenar se kurrë nga puhiza e mëngjesit. Garda ceremoniale në anën tjetër, me aletet muzikore të nevojshme, po intononte himnin e Kosovës që buçiste më krenar se kurrë.

Kurti dukej i krehur e i gatshëm për të pranuar detyrën. Në jakën e tij mungonte flamuri i Republikës së Shqipërisë – qoftë ai i vendosur nga znj.Ganimete Musliu dje, qoftë flamuri i vogël personal. Kurti po merrte detyrën jo si një politikan radikal që mësynte prishjen e rendit kushtetues dhe bashkimin kombëtar por si një kosovar të vërtetë.
Ai bëri shenjë përkuljeje më pas ndaj gardës së Forcave të Kosovës, për të cilat ka premtuar para zgjedhjeve një herë 600 milionë euro për katër vjet, e më pas 400 milionë. Sidoqoftë, një rritje domethënëse që do të lehtësonte dukshëm transformimin në ushtri.
Përveç kësaj, ai premtoi dje një shërbim të detyrueshëm ushtarak tremujor nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

Më pas, Kurti me qëndrimin serioz e çehre paksa të ngrysur u drejtua për në objektin e Qeverisë së Kosovës ku pranoi detyrën e kryeministrit.
Pyetja që vlen të shtrohet është: e mori Kurti pushtetin, apo pushteti e mori Kurtin? Kjo sepse, të gjitha qëndrimet për të cilat angazhohej dikur nuk qëndrojnë më. Lëvizja Vetëvendosje ishte vetëm lëvizje por jo vetëvendosje. Bile, as lëvizje jo: shpurdhje e pavendosur.
Lëvizja Vetëvendosje u bë Shpurdhja e Pavendosur.
Na mbetet të shpresojmë që kjo qeveri do të jetë e përgjegjshme!
*Shpurdhje: jokal. Lëviz tutje-tëhu, nuk rri rehat; vet. veta III përpëlitet, përplaset andej-këtej (zakonisht për shpendët kur theren).












