Negociata, jo Greva: Ministrja Bajrami viziton Jasharajn e ai i kërkon zgjidhje për mësimdhënësit që kanë vetëm baqellor

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, në ditën e dytë të punës, ka vizituar selinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit. Sipas një njoftimi nga SBASHK-u, anëtarë të kësaj sindikate e kanë njoftuar ministren e re për sfidat dhe angazhimet aktuale. Në njoftim po ashtu thuhet se anëtarë të SBASHK-ut i kanë thënë […]
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, në ditën e dytë të punës, ka vizituar selinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit. Sipas një njoftimi nga SBASHK-u, anëtarë të kësaj sindikate e kanë njoftuar ministren e re për sfidat dhe angazhimet aktuale.
Në njoftim po ashtu thuhet se anëtarë të SBASHK-ut i kanë thënë Bajramit se grevat e deritashme në vend nga mësimdhënësit kanë ndodhur pasi pala tjetër nuk kishte reflektuar ndaj kërkesave të tyre.
“Në takimin e parë me Ministren Bajrami përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë kërkuar që të punohet lidhur me çështjen e punëtorëve të arsimit me bachellor 3 vjeçar, e që janë në sistemin arsimor, në mënyrë që të gjendet zgjidhje e pranuar për ta. Në këtë takim përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë kujtuar se kjo sindikatë gjithmonë është angazhuar që çështjet të zgjidhen me dialog, por kur pala tjetër nuk ka reflektuar atëherë kanë ndodhur edhe grevat, të cilat nuk kanë qenë dhe nuk janë dëshirë e SBASHK-ut, por veprohet duke respektuar zërin e të punësuarve në arsim”, thuhet në njoftim.
Është kërkuar që të ketë takime të përbashkëta të Ministrisë, drejtorive komunale dhe sindikatës për të debatuar për të gjitha çështjet në arsim dhe “për të bërë angazhime të përbashkëta për tejkalimin e problemeve dhe sfidave”.
“Ministrja Bajrami është shprehur se ka mjaft njohuri për punën dhe angazhimet e SBASHK-ut dhe se respektin për këtë sindikatë dhe gatishmërinë për angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit e ka shprehur duke bërë këtë vizitë që në ditën e dytë të angazhimit në detyrën e Ministres në MASHT. Ministrja ka deklaruar se gjithë çështjet e lidhura me arsimin në Kosovë do të diskutohen bashkërisht dhe bashkërisht edhe do të ketë angazhime të sinqerta për zgjidhjen e kërkesave të punëtorëve të arsimit, por edhe për shtimin e angazhimeve në të gjitha institucionet arsimore me qëllim që të ngrihet cilësia dhe të përmirësohen kushtet e punës në shkollat tona”, përfundon njoftimi i SBASHK-ut.












