Latifi numëron koincidencat historike me 2 shkurtin: A përfunduan me sot hasmëritë politike në Kosovë?

Kandidati i PDK-së për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit dhe profesori i filozofisë në UP, Blerim Latifi, ka bërë një status të shkurtër pas arritjes së marrëveshjes për koalicion qeveritar mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Ai ka përmendur se pikërisht më 2 shkurt të vitit 2007, Marti Ahtisaari kishte paraqitur Planin e tij për statusin […]
Ai ka përmendur se pikërisht më 2 shkurt të vitit 2007, Marti Ahtisaari kishte paraqitur Planin e tij për statusin final të Kosovës e i cili do të çonte në Pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Por, Vetëvendosje vetëm tetë ditë më vonë në atë kohë do të organizonte një protestë masive nga e cila do të mbesnin të vdekur dy qytetarë pas përdorimit të dhunës së tepruar me plumba gome nga policia rumune e Unmik-ut. Vetëvendosje tash ka ndryshuar qëndrimin e saj në raport me Ahtisaarin dhe Pavarësinë e Kosovës. Deputeti i zgjedhur nga kjo parti, Jahja Kokaj, vetëm disa ditë më parë e quajti z.Ahtisaari një person gjenial, shkruan Periskopi.
Latifi ka përmendur edhe 2 shkurtin e vitit 1990 kur kishte nisur Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë – një sfidim ndaj praktikave primitive të gjakmarrjes që rridhnin nga Kanuni.
Nisur nga kjo, ai pyet se a do të jetë kjo ditë fundi i hasmërive në skenën tonë politike.
Më poshtë e keni statusin e plotë:
Koincidencat historike
Me 2 Shkurt 2007 Ahtisari paraqiti planin e tij për statusin final të Kosovës. Me 2 Shkurt 2020 u arrit marrëveshja VV – LDK, e cila e bën kryeministër njeriun që emrin e organizatës së tij politike dhe gjithë karrierën e tij politike e ka të mbështetur mbi kundërshtimin e Ahtisarit.
Me 2 Shkurt 1990 nisi pajtimi i gjaqeve në Kosovë. A do të jetë 2 Shkurti 2020 fillimi i fundit të hasmërive politike në Kosovë, kjo mbetet të shihet!












