Kurti prezanton programin qeverisës: Ja prioritetet e tij

Në seancën e Kuvendit për formimin e qeverisë së re, kandidati për kryeministër Albin Kurti ka prezantuar programin qeverisës. Para deputetëve, Kurti tha se programi i tij adreson secilën fushë dhe prek secilin qytetar. Sipas tij, me këtë program jetësohen premtimet e 6 tetorit. “Të nderuar deputetë të Kuvendit, të dashur qytetarë të Republikës, shkëlqesi […]
Para deputetëve, Kurti tha se programi i tij adreson secilën fushë dhe prek secilin qytetar. Sipas tij, me këtë program jetësohen premtimet e 6 tetorit.
“Të nderuar deputetë të Kuvendit, të dashur qytetarë të Republikës, shkëlqesi ambasador, përfaqësues ndërkombëtarë, kryetarë të komunave, familje të dëshmorëve. Të nderuar të pranishëm më lejoni që të filloj prej asaj që është më e rëndësishmja, program ynë qeverisës për të cilën ekzistojmë ne edhe si përfaqësues e së shpejti edhe si qeveri. Programi i plotë do të publikohet në faqen zyrtare, por unë këtu po shpalos një pjesë të tij. Kemi një program që adreson secilën fushë dhe prek secilin qytetarë. Me këtë program ne jetësojmë premtimet e 6 tetorit, të kësaj dite që shënoi ndryshimin e madh politik në vend, e të cilin ne sot po e institucionalizojmë së bashku me qeveri të re”, tha Kurti.
Lideri i LVV-së, po ashtu tha se do të jenë qeveri e kursimit të parasë publike dhe me më pak shpenzime në poste e privilegje që të shpenzohen më shumë në projekte zhvillimore.
“Do të jemi qeveri e kursimit të parasë publike, ashtu edhe siç po e shihni para meje do të jenë 15 ministra, e jo 21 sa ishin më herët. Do të kemi rreth 33 zëvendësministra dhe jo mbi 80 sa ishin më herët. Pra, më pak shpenzime në poste e privilegje që të shpenzojmë më shumë në projekte zhvillimore. Do të departizohen e depolitizohen agjencionet dhe ndërmarrjet publike, do të reduktojmë e ristrukturojmë ato e do të vendosim indikatorë të matshëm për të rregulluar cilësinë e për të matur edhe suksesin, edhe dështimin”, tha ai.
Ai po ashtu gjatë prezantimit të programit të tij qeverisës, tha se do të jenë qeveri e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit për të ndaluar migrimin masiv, për të nxitur punësimin e për të rritur produktivitetin.
Po ashtu Kurti tha se në mandatin e tij qeverisës, buxheti do të jetë tre miliardë euro.
“Do të departizojmë shërbimin e jashtëm përmes një rishikimit funksional të bazuar në performancë dhe rezultate. Do të jemi qeveri e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit për të ndalur migrimin masiv, për të nxitur punësimin e për të rritur produktivitetin na duhet një program që nxitë zhvillimin ekonomik. Prandaj, do të mbështesim zhvillimin e ndërmarrësisë në tërësi me fokus të veçantë ndihmën për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe industrinë prodhuese. Ndërmarrësit i shohim si partnerë kyç në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin ekonomik”, deklaroi Kurti.
Po ashtu Kurti tha se do të nivelojnë garën për biznese duke hequr monopolet dhe duke eliminuar evazionin fiskal, sipas të cilit në Kosovë sot ka më shumë ‘treg të zi e të hirtë’ se sa treg të lirë, dhe kjo ai tha se do të ndryshohet.
Kurti tha se po ashtu prioritet në programin e tij, është rendi, drejtësia, siguria, arsimi dhe shëndetësia.












