JAVA: Pas arritjes së marrëveshjes, VV t’i kërkojë falje Agim Veliut për sharjet e shpifjet ndaj tij

Pas tre muajsh e 26 ditësh bisedimesh intensive, më në fund u arrit marrëveshja për koalicion qeveritar mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK]. E gjithë kjo javë u përshkua nga sharjet, pesimizmi, pastaj optimizmi, e të tjera ngjarje dramatike në lidhje me marrëveshjen në fjalë. Mëngjesin e sotëm, lideri i LDK-së dhe lideri […]
Mëngjesin e sotëm, lideri i LDK-së dhe lideri i Vetëvendosjes dolën në një konferencë për media ku njoftuan se ishte arritur marrëveshja për bashkëqeverisje mes tyre.
Marrëveshja nuk u bë transparente, por ajo që dihet është se pozita e kryeministrit do t’i takojë Vetëvendosjes, ndërsa ajo e kryetarit të Kuvendit do t’i takojë LDK-së.
Kryeministër i ri do të jetë z.Albin Kurti, ndërsa kryetare e re e Kuvendit do të jetë znj.Vjosa Osmani.
Eksponentët e Vetëvendosjes deri tash kanë fyer shumë eksponentë të LDK-së, e madje edhe PDK-në në opozitë se nuk po lejonin që të arrihej marrëveshje. Më në theks ishin Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit dhe Agim Veliu, kryetar i Podujevës. Doli se, të gjitha këto fyerje ishin të padrejta e të paarsyeshme.
Por, çka na thotë zvarritja e deritashme?
Se qeveria mund të jetë tepër e brishtë nga përplasjet e mundshme ndër-partiake. LDK dhe Vetëvendosje nuk pajtohen kollaj për asnjë çështje politike. Dhe, meqë Kosova ndodhet përballë sfidash shumë të mëdha, këto mosmarrëveshje mund të shpërthejnë koalicionin e ri qeveritar brenda disa muajsh.
Për më tepër, çështja e presidentit të vendit ka mbetur ende pezull. LDK-ja është pajtuar që të hesht përkohësisht, edhe pse e ka të qartë se në rast se kjo pozitë nuk i takon asaj do të tërhiqen nga koalicioni me Vetëvendosjen. E ndërkohë, znj.Vjosa Osmani është marrë vesh me partinë e saj se pozitën e kryetares së Kuvendit do ta ketë deri në fund të mandatit qeveritar, pra nuk do ta lëshojë as që Isa Mustafa të bëhet president i ri i Republikës së Kosovës.
Fillim më të keq të qeverisjes Albin Kurti nuk mund të ketë parë as në makthet e tij më të këqija. Kurti ka zhgënjyer qytetarët me zvarritjen gati-katërmujore, ka zhgënjyer qytetarët edhe tash duke iu nënshtruar tekeve të z.Isa Mustafa, ka zhgënjyer edhe me heshtjen karshi marrëveshjes Kosovë-Serbi për linjën ajrore, dhe ka zhgënjyer edhe me djegien e Glauk Konjufcës duke e detyruar të dorëhiqej – një figurë politike që i mori mbi 70 mijë vota në zgjedhjet e 6 tetorit.
Gjatë kësaj jave, në Kosovë ishte zyrtari i lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili me një mendjemadhësi të përçudshme deklaroi se nuk kishte kohë të merrej me Kosovën e se do të caktonte një vartës të tij për të ndërmjetësuar. Merreni me mend, BE-ja po i kthen shpinën Kosovës në një moment kaq kritik.
PDK-ja, partia më e madhe opozitare, bëri një veprim të papritur duke bojkotuar takimin me z.Borrell duke protestuar zhvillimin e brendshëm për tejzgjatjen e krijimin e një qeverie nga dy partitë e para dhe po ashtu duke protestuar edhe (mos) zhvillimin e jashtëm, trajtimin e padrejtë të BE-së ndaj Kosovës. Veprim i guximshëm e që në të kaluarën do të pritej vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje.
Por, Vetëvendosje ka ndryshuar radikalisht duke i ndërruar diametralisht qëndrimet e saj në raport me ndërkombëtarët [që dikur i konsideronte si të korruptuar]. Vetë kjo parti politike kishte ftuar ambasadorët e Quintit në Kosovë për të dëgjuar negociatat mes partisë së tij dhe LDK-së. Me fjalë të tjera, ai iu tha “bujrum” që të përziheshin në çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës. Por, ambasadorët e poshtëruan duke i thënë në sy se nuk do ta bënin një gjë të tillë.
Kosova më në fund do të ketë qeverinë e saj. Një qeveri e krijuar pas diskutimesh të pafundme dhe mes dy aleatësh që kanë kultivuar mos-besim të thellë ndaj njëra-tjetrës e që do të jenë në luftë të vazhdueshme për çdo meritë në rast suksesi, dhe për ikje nga çdo përgjegjësi në raste skandalesh.
Sidoqoftë, Periskopi të dyja partive iu dëshiron sukses në sfidat që e presin!












