JAVA: A po heqë dorë Kurti nga Reciprociteti?

Po merr fund edhe një tjetër javë pa zhvillime serioze në politikë, dhe me një qeverisje shkel-e-shko ashtu siç nuk ishte premtuar. Qeveria Kurti edhe në javën e tretë të ekzistencës së saj, vazhdon të mos ketë program qeverisës – gjë për të cilën sidomos Vetëvendosje ishte shumë kritike në të kaluarën. Prishtinë, 23 shkurt […]
Prishtinë, 23 shkurt – Kjo javë nisi me ngjarjen e rëndë që ndodhi në lagjen Bujanina të Gjilanit, rreth orës 13:00 të ditës së martë. Një police e Kosovës vrau dy prindërit, dy vëllezërit dhe më pas edhe veten e saj.
Periskopi vazhdimisht publikoi lajme të ndryshme në lidhje me rastin, por që bazoheshin në burime kredibile dhe në evidenca të caktuara. Portalet e tjera, e madje edhe policia e Kosovës, u morën me thashetheme të shumta duke mos respektuar të ndjerët.
U tha se policja në fjalë kishte vuajtur nga “probleme mendore” por nuk u specifikua problemi mendor. Madje, u tha edhe se ajo kishte mbajtur seanca terapeutike – për ta kriminalizuar më tej situatën e njerëzve që kanë probleme me shëndetin mendor. Ishte vetë ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ai që me prepotencë kishte deklaruar se “njerëz me probleme mendore kishte në të gjitha institucionet”. Kjo edhe një herë dëshmoi mbi nevojën e rritjes së vetëdijes dhe ndjeshmërisë për njerëzit që përnjëmend përballen me këto probleme.
Një tjetër relacion i çuditshëm që ka ardhur në shprehje së fundi është edhe ai mes kryeministrit Albin Kurti dhe taksës 100%. Kanë kaluar 20 ditë që nga marrja e detyrës, dhe Kurti as nuk e ka hequr taksën – siç po kërkojnë ndërkombëtarët – por as nuk ka vendosur reciprocitetin.
Periskopi kishte treguar në disa artikuj gjatë kësaj jave, se reciprociteti tregtar me Serbinë do të kërkonte kapacitete të jashtëzakonshme sa i përket inspektorëve nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, e inspektorë të tjerë sanitarë, laboratore testuese të ndryshme – për të baraspeshuar barrierat jostandarde jotarifore që aplikon Serbia ndaj Kosovës. Këto kapacitete, Kosova nuk i ka.
Pikërisht për shkak të taksës, u sulmua fizikisht edhe zv.kryeministri Avdullah Hoti. Shumë njerëz deklaruan se një gjë e tillë ishte bërë që ai të mos ecte më në këmbë. E vërteta është se Hoti gjithnjë ka ecur në këmbë, edhe si ministër i koalicionit PDK-LDK, edhe si shef i Grupit Parlamentar, edhe si zëdhënës i komunës, e në çdo rast tjetër që nga fëmijëria e tij. Poenta? Kurti nuk e mësoi Hotin të ecte në këmbë. Qytetarët e Prishtinës nuk kanë vuajtur asnjëherë nga mungesa e ministrave e kryeministrave nëpër kafenetë dhe rrugët tona. Të secilës parti. Kosova ka vuajtur në vitet e fundit nga dhuna e pajustifikueshme ndaj zyrtarëve të lartë, dhe e cila u krye kryesisht me vezë.
Njohja e Xhamajkës? Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, njoftoi institucionet e Kosovës se Xhamajka kishte njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Por, ajo iu tha edhe që do të ishte mirë të mos e publikonin lajmin derisa të vinte njoftimi diplomatik.
Sidoqoftë, krerët e institucioneve tona që nuk ngihen me vëmendje, menjëherë reaguan në Facebook dhe shpallën garën e meritave. Postoi presidenti, kryeministri, ministri i Punëve të Jashtme, ish kryeministri, dhe natyrisht Fitore Pacolli.
Pacolli pretendonte se “fryma e ndryshimit” ishte ndjerë edhe jashtë Kosovës, pra në Xhamajkë. Ndërkohë që ish kryeministri Haradinaj, tha se ishte punuar shumë për atë njohje.
Kjo garë meritash bëri që Kosova të bëhej horë në rrafshin diplomatik, pasi Xhamajka do të tërhiqte fjalët për të thënë se “nuk e kishte njohur Kosovën,” ndoshta shkaku i presionit nga Serbia.












