Insiston AAK-ja: Të mos hiqet taksa, falë saj qytetarët u vetëdijesuan të konsumojnë produkte vendore

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka organizuar tryezë për taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja. Në këtë tryezë u tha se vendosja e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake ishte e domosdoshme, duke parë veprimet destruktive të Serbisë që e cenua shtetësinë e Kosovës. Deputeti e AAK-së, […]
Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka organizuar tryezë për taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja.
Në këtë tryezë u tha se vendosja e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake ishte e domosdoshme, duke parë veprimet destruktive të Serbisë që e cenua shtetësinë e Kosovës.
Deputeti e AAK-së, Gazmend Abrashi ka thënë se Serbia vazhdon ta kërkojë tregun, por jo ta pranoj shtetësinë e Kosovës.
“Ka kaluar kohë e gjatë prej kur Kosova ka filluar negociatat me Serbinë për marrëveshje e ashtuquajtura teknike me ndërmjetësimin e Komisionit Evropian, e udhëhequr nga Baronesha Eshton e vazhduar me Mogherinin. Gjatë kësaj kohë ka pasur pakënaqësi dhe reagime nga partitë politike gjatë dialogut”.
“Qeveria e Kosovës në tetor të vitit 2018 merr vendim për vendosjen e taksës fillimisht të 10 për qind e më pas 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake dhe nga ajo kohe nga 500 milionë euro sa ishte eksporti i Serbisë në Kosovë, bie pothuajse në nivelin zero”.
“Vendosja e taksës 100 për qind ishte instrumenti i vetëm me të cilën do të reagonte Kosova ndaj të gjitha veprimeve destruktive të Serbisë që po cenojnë shtetësinë e Kosovës. Serbia vazhdon ta kërkojë e ta pranoj tregun, por jo edhe shtetësinë e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj”, ka thënë Abrashi.
Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se taksa përveç aspektit ekonomik ka ndikuar edhe në vetëdijesimin e qytetarëve për të konsumuar produkte vendëse.
“Aleanca Kosovare e Biznesit e ka vlerësuar taksën si aset ekonomik dhe diplomatik. Efekti i taksës ka rritur 100 milionë ekonominë e Kosovës, por ka rritur edhe vetëdijesimin e qytetarëve për të konsumuar produkte vendore. AKB-ja gjithmonë do të jetë me bizneset që ne flasim në emër të tyre”, ka thënë ai.












