Gazetari Robelli ia ‘lë kilen’ Agim Veliut për policin që u arrestua duke pritur ryshfetin prej 1450 eurosh

Mbrëmë u arrestua Shefi i Krimeve Ekonomike në Policinë e Prishtinës duke pritur që t’i merrte 1450 euro ryshfet. Më pas ishin arrestuar edhe dy rreshterë policorë të tjerë në lidhje me rastin. Kjo ngjarje së fundi është komentuar edhe nga Enver Robelli, gazetar nga diaspora jonë. Z.Robelli duket se shkrimin e tij e ka […]
Z.Robelli duket se shkrimin e tij e ka bazuar në perceptimin qytetar që vazhdimisht e radhit institucionin e Policisë së Kosovës si ndër më të besueshmit në Kosovë.
“Shumë qytetarë të Kosovës kanë iluzione mbi Policinë e Kosovës. “Këta bile nuk na rrahin”, kështu mendojnë jo pak njerëz për “policët tanë dhe kur e bëjnë këtë krahasim mendjen e kanë te policët e Serbisë që terrorizonin shqiptarët në vitet 90.” – shkruan gazetari në fjalë.
Ai thotë se një gjë e tillë nuk mjafton duke e konsideruar gjendjen në Policinë e Kosovës si “larg normalitetit”, përcjell Periskopi.
Robelli deklaron se i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës që duke pasur Ministrinë e Brendshme “t’i prijë procesit të profesionalizmit të policisë dhe spastrimit nga elementët kriminalë e të korruptuar.”
Kujtojmë se si ministër i Punëve të Brendshme është zgjedhur z.Agim Veliu, ish kryetari i Komunës së Podujevës.
Më tej, gazetari ka përmendur një varg skandalesh të shkaktuara nga policia e Kosovës për të alarmuar LDK-në dhe kryeministrin Kurti për masat që duhej t’i ndërmerrte.
Më poshtë e keni statusin e plotë e të paredaktuar të z.Robelli:
1450 euro!
Shumë qytetarë të Kosovës kanë iluzione mbi Policinë e Kosovës. “Këta bile nuk na rrahin”, kështu mendojnë jo pak njerëz për “policët tanë” dhe kur e bëjnë këtë krahasim mendjen e kanë te policët e Serbisë, që terrorizonin shqiptarët në vitet 90-të. E vërtetë: policët e Kosovës nuk të rrahin në rrugë, nuk të dënojnë arbitrarisht në trafik (me ndonjë përjashtim mbase), nuk të terrorizojnë. Por gjendja në Policinë e Kosovës është larg normalitetit. Sonte u arrestua një polic që duhej të luftonte krimin ekonomik. U kap në flagrancë, ndërsa po priste të merrte ryshfetin: 1450 euro! Ky me siguri nuk është rasti i vetëm.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka marrë Ministrinë e Brendshme dhe i takon veçanërisht asaj t’i prijë procesit të profesionalizimit të policisë dhe spastrimit nga elementët kriminalë e të korruptuar. Kryeministri duhet të kërkojë rezultate të shpejta në këtë sektor të rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve. Nuk është normale që policët të keqpërdoren për kidnapim qytetarësh të huaj (rasti i turqve), nuk është normale që hetuesit e krimit të merren me krim, nuk është normale që krerët e policisë të jenë shërbëtorë partish dhe strukturash parapartiake, nuk është normale që policia të mos ndriçojë krime të caktuara, nuk është normale që të vidhet dhoma e dëshmive e policisë dhe askush të mos arrestohet, askush të mos degradohet, askush të mos përjashtohet nga puna.
Vite më parë në krejt mediat perëndimore u dha lajmi se si në Kosovë qe arrestuar për shkak të korrupsionit një prokuror që duhej të luftonte korrupsionin. Tani kemi një hetues që duhej të luftonte krimin dhe prangoset për aktivitet thellësisht kriminal. Policia e Kosovës është pasqyra e shtetit. Dhe kjo pasqyrë është mjaft e ndotur, siç tregon edhe rasti i arrestimit të hetuesit.












