Blerta Deliu: Heqja e fotos së Thaçit nga Osmani – papjekuri politike, shkelje ligjore dhe lojë fëmijërore

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra ka reaguar pas veprimit të kryetares së re të Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani , e cila e hoqi nga zyra fotografinë e Presidentit të vendit Hashim Thaçi, duke e zëvendësuar me atë të ish presidentit Ibrahim Rugova, shkruan Periskopi. Deliu-Kodra e ka quajtur shkelje ligjore veprimin e Osmanit, duke […]
Deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra ka reaguar pas veprimit të kryetares së re të Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani , e cila e hoqi nga zyra fotografinë e Presidentit të vendit Hashim Thaçi, duke e zëvendësuar me atë të ish presidentit Ibrahim Rugova, shkruan Periskopi.
Deliu-Kodra e ka quajtur shkelje ligjore veprimin e Osmanit, duke thënë se u tregua selektive në zbatimin e ligjeve të Kosovës.
Reagimi i plotë i Blerta Deliut:
Logoja simbolike e presidentit Ibrahim Rugova me flamurin dardan, për të cilën nuk ekziston asnjë vendim, asnjë procesverbal dhe asnjë bazë ligjore që e mbështetë mbajtjen e saj, për hir të respektit dhe madhështisë së Hashim Thaçit, ende figuron në zyrën e tij.
Fotografia zyrtare e presidentit, të cilën obligohen ta vendosin të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në mjediset e tyre bazuar në Ligjin për Protokollin e Shtetit, sot u hoq nga kryeparlamentarja e re, Vjosa Osmani, e cila qysh në ditën e parë të punës bëri shkelje ligjore. Mandati i saj është udhëheqja e organit që nxjerr dhe miraton të gjitha ligjet, por siç edhe dëshmoi, vetë ajo është selektive në zbatimin e legjislacionit të Kosovës. Ky është një standard i ri për institucionet e Kosovës dhe një lojë tërësisht fëmijërore që nxjerr në pah më së shumti papjekurinë politike dhe teket personale të Vjosa Osmanit.












