Albin Kurti e arsyeton heqjen e fotografisë së presidentit Thaçi: Mbase Osmani vërejti ndonjë mungesë

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani sapo mori detyrën e saj të re e largoi fotografinë e presidentit Hashim Thaçi nga zyra e saj dhe e zëvendësoi me atë të ish-presidentit Ibrahim Rugova, transmeton Periskopi. Kryeministri i ri, Albin Kurti i pyetur sonte në RTK, ka thënë se nuk ka njohuri për këtë veprim të Osmanit, megjithatë e […]
Kryeministri i ri, Albin Kurti i pyetur sonte në RTK, ka thënë se nuk ka njohuri për këtë veprim të Osmanit, megjithatë e arsyeton.
‘’Unë nuk e paskam ndjekë këtë lajm sepse kam qenë në takime dhe aktivitete por është më mirë ta japë përgjigjen zonja Osmani. Nuk besoj që ajo shpreh qëndrime dhe bënë veprime pa arsye të thella. Besoj në arsyen e Osmanit që më së miri është të shprehë ajo. Mbase ka vërejtur ndonjë mungesë dhe ka vepruar ashtu’’.
Gjatë ditës, Osmani ka thënë se nuk e ka larguar nga kabineti i saj fotografinë e presidentit Hashim Thaçi, por vetëm e ka zhvendosur atë.
“Nuk e kam larguar, por vetëm e kam zhvendosur në një vend me se të merituar për presidentin aktual. Unë e njoh mirë legjislacionin dhe nuk ka shkelje kushtetuese sepse nuk përcaktohet aty se në cilin cep të Kuvendit të jetë fotografia, ju do të vini dhe do ta shihni vet”, tha Osmani gjatë një vizite në QKUK.
Mirëpo, në rregulloren e Qeverisë së Kosovës Nr. 19/2011, e cila rrjedh nga Ligji për Protokollin e Shtetit, bëhet e qartë saktësisht se ku duhet të vendoset fotografia e Presidentit të shtetit.
Në nenin 4, pika 3, thuhet se Fotografia në zyre duhet të vendoset në mur në vend të dukshëm apo ballor.
“1. Fotografia duhet të ketë përmasat minimale 40-60cm. 2. Fotografia duhet të jetë e vendosur në kornizë. 3. Fotografia në zyre duhet të vendoset në mur në vend të dukshëm/ballor. 4. Fotografia duhet të vendoset në distancë afërsisht 2 m nga dyshemeja”, thuhet në nenin 4 të kësaj rregullore.
Gjatë ditës ka pasur shumë reagime nga PDK-ja, por edhe analistë politik, të cilët e kanë kritikuar veprimin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani./PERISKOPI/












