3 sfidat që rrezikojnë dështimin e menjëhershëm të Qeverisë Kurti

Qeveria Kurti ishte promovuar për një kohë të gjatë si një qeveri e shpresës dhe ndryshimit. “Erdhi dita,” ishte slogani i kësaj partie, e cila ishte kritike e ashpër e qeverive të deritashme në shumë pika, e të cilat mund t’i kthehen si bumerang për një periudhë të shkurtër kohore. Periskopi numëron pesë sfidat kryesore […]
Periskopi numëron pesë sfidat kryesore që mund të kenë ndikim të madh në rrëzimin e shpresës e të ndryshimit.
Ndryshimi për kohë të gjatë ka qenë i lidhur me mundësitë ekonomike për qytetarët e vendit, e po ashtu edhe për mundësitë e barabarta në punësim dhe për perspektivën në strukturën sociale.
Problemi i parë me të cilin do të përballet kjo parti është ajo e punësimeve partiake (1).
Duke qenë se shumë aktivistë të Vetëvendosjes kanë qenë gjatë të angazhuar në aktivitete politike pa pagesë ose me pagesë të vogël nga buxheti i ndarë për partinë nga KQZ, kjo parti ka dëshmuar se nuk është e aftë të administrojë problemin e punësimeve partiake.
Qindra aktivistë ishin punësuar me kontratë mbi vepër në Komunën e Prishtinës, gjatë kohës sa kjo komunë drejtohet nga Vetëvendosje.
Po ashtu, se problemi i punësimeve partiake është mjaft i zorshëm për t’u kapërcyer tregon edhe ndarja e një pjese të pagës së deputetëve të VV-së për parti, e të cilat para iu shkonin aktivistëve të partisë.
Shumë aktivistë mund ta gjejnë veten të margjinalizuar nga partia pas ndarjes së pozitave të shumta qeveritare, si ato të zv.ministrave, këshilltarëve politikë, asistentëve etj.
Por, problematike mbetet edhe sjellja e LDK-së në qeverinë Kurti në këtë aspekt, duke qenë se kjo parti në të kaluarën është njohur për punësime partiake në periudhën 15 vjeçare në pushtet.
Dialogu me Serbinë (2) – Kur kishte dhënë zotimet e tij për reciprocitetin, detyrimin për kërkim-falje e për reparacione nga Serbia, z.Albin Kurti mund të mos ketë qenë në dijeni se presidenti amerikan do ta merrte në dorë këtë çështje duke e dërguar ambasadorin amerikan në Gjermani, z.Richard Grenell, për t’u marrë në mënyrë intensive me këtë çështje.
Dihet gjerësisht se Kurti preferon politikën e BE-së ndaj asaj të ShBA-ve, duke shprehur në shumë raste konsideratë të lartë për këtë projekt gjigant politik.
Por, vizita e kësaj jave që bëri Josep Borrell, zyrtari i lartë i BE-së, mund ta ketë zhgënjyer shumë. Ai e tha troç se nuk kishte kohë të merrej me këtë çështje, ndërsa do të dërgonte një vartës të tij.
E ndërkohë që BE-ja nuk ka kohë për ne, ShBA-të tashmë kanë nisur të bëjnë marrëveshje të shpejta me Serbinë në emrin e Kosovës siç ishte ajo për linjën ajrore e bazuar në rezolutën 1244, komenton Periskopi.
Duke qenë një kundërshtues i prerë e i ashpër i ndërhyrjeve ndërkombëtare, Kurti do të gjendet përballë një sfide shumë të zorshme në përballjet e tij me z.Grenell dhe marrëveshjet e tij, ashtu sikurse me Serbinë dhe Aleksandër Vuçiqin.
Jo të gjithë votuesit e tij kanë harruar qëndrimet e tij të ashpra kundër dialogut me Serbinë, dhe më pas kundër marrëveshjeve të bëra shpejt e pa negociata parimore.
Tregu i punës (3) – “Ndryshimi” si një operator politik në Kosovë ndodhet krejtësisht i rrënjosur te tregu i punës në vendin tonë. Shumë qytetarë të Kosovës, shumica prej të cilëve votues të Vetëvendosjes të papërfshirë në rrjetet klienteliste të partive tjera, mund të ndihen të zhgënjyer nëse nuk gjejnë punë në vitet e ardhshme.
Ndërkohë, gjetja e punëve të pëlqyeshme për qytetarët është bërë tepër e zorshme. Në Kosovë, shumica e fuqisë punëtore është ende e pakualifikuar, dhe kjo mund të përkthehet në një zhgënjim të madh qytetar.
Me kalimin e viteve, qytetarët paevitueshëm do të kërkojnë jetë më të mirë, mirëqenie e dinjitet, dhe nuk do të ngihen thjesht me fjalë të shprehura bukur.
Sipas ASK-së, mbi 30 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të papunë. Kjo prek sidomos të rinjtë prej moshës 18 e deri në 30, prej të cilëve shifra e papunësisë është mbi 60 për qind. Por, po ashtu edhe gratë, për të cilat statistikat thonë se gati 80 për qind vuajnë nga kjo çështje.
Një problem tjetër i madh është edhe rritja e çmimeve të konsumit ndërkohë që tregu privat i punës mbetet me kushte të këqija në krahasim me punët e shtetit që paguhen shumë më mirë. Ligji i ri i pagave pritet të krijojë pakënaqësi të thella te qytetarët të cilët punojnë në sektorin privat.
Për të tria çështjet, Qeveria Kurti duhet të marrë masa radikale e të shpejta në mënyrë që të ruajë besimin qytetar.












