‘Sharlatanët e Vetëvendosjes”. “Skendë, iu mbajmë në xhep” – Përplasjet e ditës mes LDK-së dhe VV-së

Mbrëmja e së mërkurës ka ‘vluar’ me debate televizive, ku ishin të ftuar përfaqësues nga partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Për më shumë, lexoni vegëzen përmbledhëse të Periskopit, për debatet e mbrëmshme. Ndërkohë, zyrtarë nga të dyja partitë, kanë vazhduar edhe sot me deklarata rreth njëra-tjetrës. Haki Abazi i […]
Mbrëmja e së mërkurës ka ‘vluar’ me debate televizive, ku ishin të ftuar përfaqësues nga partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Për më shumë, lexoni vegëzen përmbledhëse të Periskopit, për debatet e mbrëmshme.
Ndërkohë, zyrtarë nga të dyja partitë, kanë vazhduar edhe sot me deklarata rreth njëra-tjetrës. Haki Abazi i Vetëvendosjes, mëngjesin e sotëm i tha Periskopit se takimi i radhës, nuk do të duhej të ishte përfundimtar, ashtu siç kërkoi dje Isa Mustafa, por një ‘takim rreth përafrimit të qëndrimeve rreth ofertave të fundit”.
“Nuk e di a ka me pasë takim, prej diskutimeve ka qenë e qartë që LVV-ja ka thirrë për takim, për mi përafru të dy pozicionet sepse edhe oferta e LVV-së edhe oferta e LDK-së janë prezantuar në takimin e fundit. Unë e shoh si të domosdoshme takimin e radhës për t’i parë këto dy oferta në tavolinë dhe për të përafru qëndrimet”, tha Abazi për Periskopin.
Naser Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i tha Periskopit se Lëvizja Vetëvendosje duhet të reflektojë konform përgjegjësive që ka. Osmani tha se VV ‘vetë e ka zgjedhur partnere LDK-në”.
“Ata (LVV) kanë përgjegjësi dhe duhet të reflektojnë konform përgjegjësive që kanë. Duhet të përmbahen se ende nuk ka përfundu kurrgjë. Tek e fundit ata na kanë zgjedhë neve si partner, jo ne ata sepse ata janë fitues. Edhe nëse arrin marrëveshje me partnerin dhe ka pak dyshim tek partneri duhet të tejkalohen pengesat të cilat ne i shohim si pengesa të vogla, por nëse jo ata mund të kërkojnë partnerë të tjerë’’, i tha Osmani Periskopit.
Skënder Hyseni, i tha Blic-it se LDK-ja është në pritje të përgjigjes përfundimtare nga Vetëvendosja. Z.Hyseni përmendi edhe sondazhet e publikuara nga Vetëvendosja, që ai i interpreton si formë kërcënimi ndaj LDK-së. Por, ai thotë se LDK ‘nuk i merr seriozisht zërat sharlatan të Vetëvendosjes’.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dje ka bërë publike poropozimin e saj të fundit i cili është mjaft i balancuar dhe korrekt, jemi në pritje të një reagimi nga Vetëvendosje për një përgjigje përfundimtare, për të rrumbullakësuar këtë çështje, megjithëse ne e dimë se tash e dy muaj Vetëvendosje është sjellur sikur të ishte në fushatë elektorale, duke apstrofuar dhe akuzuar zyrtarë të caktuar të LDK-së dhe duke nxjerrur sondazhe, si një formë presioni dhe ‘kërcenim’ se si do të dalin në zgjedhje të reja.
Por ne nuk i marrim seriozisht disa zëra sharlatan të Vetëvendosjes që tërë ditën sillen me perbuzje ndaj LDK-së, por presim një qëndrim të qartë nga partia VV”, u shpreh Hyseni.
Ndaj Hysenit, menjëherë ka reaguar Mefail Bajqinovci i Vetëvendosjes. Ai e quan ‘snob’ Hysenin dhe i thotë se ‘sharlatanët e VV-së e mbajnë në xhep’.
“Skender Hyseni paska dalë me një prononcim në lidhje me negociatat për koalicion dhe duke provuar të ‘qëndrojë lartë’, në atë snobizmin e tij të pa shije, e paska tradhëtuar intensioni i brendshëm dhe në një moment qenka lëshuar në fyerje ndaj zyrtarëve të lartë të LVV. Pra, befasisht statura e aristokratit, degradohet si mos më keq. Përdorë fjalën sharlatan për njerëz të LVV, që edhe me dije, edhe me kulturë, edhe me kontribut të mbajnë në xhep të vogël Skendo. Në pjesën e “qëndrimeve” të të urtit Skendë, i kemi disa xhevahire fantastike, në njërën anë thotë se ne nuk do të bëjmë koalicion me këta “sharlatanët”, pastaj thotë se jemi të gatshëm të shkojmë në opozitë, e krejt në fund thotë “LDK si parti serioze e institucionaliste, nuk do ta lë vendin pa institucione dhe do të gjejë zgjidhje”. Skendë, na e dimë shumë mirë që të ishte për ty, kurr nuk do të kishte ndryshime për të mirë në këtë vend, e dimë poashtu se ti më mirë ndihesh deal maker’at e kohëve të shkuara kur merrje poste ministrore dhe dështoje njëri pas tjetrit, se sa me kalibrin e Prof. Besnik Bislimit. Po çka me bë Skendë që edhe elektorati i LDK’së po frymon në tjera orientime, prandaj s’fiton dot. Elektorati i LDK’së ka votuar për ta çuar PAN’in në shpi, jo për të ja mirëkuptuar qefet e Skendes me PAN’in”, shkruan Bajqinovci./Periskopi/












