Referati i Kurtit për presidentin përdorë Thaçin për të nënshtruar presidentin nga LDK-ja

Pasi kaluan tre muaj e një javë që nga përfundimi i zgjedhjeve të përgjithshme e të parakohshme të 6 tetorit, ‘telenovela’ e qeverisë së re ka prodhuar disa episode të reja ku si personazh kryesor është rikthyer presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Kurti sot i drejtoi një letër z.Thaçi duke i shpjeguar se çfarë funksioni […]
Kurti sot i drejtoi një letër z.Thaçi duke i shpjeguar se çfarë funksioni kishte pozicioni i tij si president i vendit përmes një ‘referati’ të gjatë. Por, po z.Kurti më herët ishte shprehur publikisht i kënaqur që Thaçi e kishte caktuar ‘seancën konstituive’ për 26 dhjetor duke iu dhënë kohë të dyja partive që të formonin koalicionin qeverisës.
Në fakt, Thaçi nuk është i vetëm në ‘brengën’ e tij që Qeveria e Kosovës të formohet sa më parë. Edhe shumë qytetarë të vendit, madje edhe aktivistë e mbështetës të të dyja partive që dolën të parat në zgjedhje, VV e LDK, duan që këto dy parti të formojnë qeverinë e re sa më shpejt.
Përmes një hapësire të tillë që ka lënë Gjykata Kushtetuese duke mos treguar se deri kur ka afat partia/koalicioni i parë që të ofrojë emrin e mandatarit [për të filluar më pas edhe afatin prej 15 ditësh], Ramush Haradinaj mund të rrijë në krye të qeverisë deri në vitin 2030, ose 2050 ose deri në fund, shkruan Periskopi.
Por, çka tha sot përmes letrës së tij z.Kurti?
Ai bëri një referat të gjatë në të cilin shpjegon detyrat e presidentit të vendit sipas Kushtetutës sonë. Ai kryen rolin e Gjykatës Kushtetuese në këtë rast, por mesazhet e tij mund të jenë më shumë politike se sa juridike, dhe më shumë të drejtuara ndaj presidentit të ri të LDK-së se sa ndaj presidentit aktual, z.Thaçi.
“Presidenti është kreu i shtetit, i cili, rrjedhimisht, duhet ta ushtrojë atë përmes një veprimtarie neutrale, pra, një pushtet pasiv në raport me politikën ditore dhe, si rezultat i këtij pozicioni, ai nuk mund të vihet në lëvizje i pavarur dhe i izoluar nga vullneti i fituesve të zgjedhjeve, por vetëm pas ndërveprimit me institucione tjera.” – shkruan Kurti ndër tjerash në letrën e tij.


Kurti dhe Vetëvendosje janë pajtuar që pozita e presidentit t’i takojë LDK-së, ndërkaq letra e sotme drejtuar Thaçit mund të shihet si një përpjekje për ta nënshtruar rolin e presidentit të ri nga LDK-ja që potencialisht mund të zgjidhet pas një viti.
“Kushtetuta e Republikës sonë nuk i njeh Presidentit një rol imponues në formimin e Qeverisë. Ai duhet të jetë i durueshëm dhe të presë. Formimi i Qeverisë nuk është i lidhur me afate, për shkak se demokracia nuk është thjesht grumbullim numrash, por përafrim qëndrimesh, harmonizim programesh e bartje përgjegjësish.” – shkruan më tej lideri i VV-së duke zgjeruar leksionin e tij edhe mbi demokracinë.
Por, kush është ky person i durueshëm dhe që pret pafundësisht e që duhet të jetë president i vendit? Zor të mendohet dikush tjetër pos z.Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Sipas një sondazhi të bërë nga Periskopi në nëntorin e vitit të kaluar, dilte se 90 për qind e qytetarëve ishin kundër që z.Mustafa të bëhej president i ri i Kosovës.













