Qytetari nga Prishtina ia la emrin e Tito-s qenit

Emrin e ish-diktatorit jugosllav e mban një qen në Prishtinë. Vetëm nofkën nuk e ka Tito, por Pipo. Pronari i qenit të quajtur Josip Broz Pipo, Mentor Mahmuti, thotë se e pagëzoi kafshën shtëpiake me emrin liderit të dikurshëm jugosllav jo për qëllime ideologjike, por për shaka. Thotë se nuk ka një mendim të qartë […]
Shkruan: Rinesa Osmanaj*
Mentor Mahmuti e ka pagëzuar qenin e tij me emrin e ish-udhëheqësit jugosllav, Josip Broz. Mirëpo, nofkën e Titos e ka ndryshuar në “Pipo”.
Pronari i qenit thotë se ia vendosi kafshës së tij emrin e Titos më shumë për të bërë shaka e jo për qëllime të tjera.
“Nuk ka ngjyrime ideologjike pas këtij emërtimi. Por është thjesht një shaka mes miqve”, shpjegon 25 vjeçari nga Prishtina.
Josip Broz Tito ishte udhëheqës i Jugosllavisë prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në maj të vitit 1980, kur vdiq. Tito konsiderohet njëri prej diktatorëve më të mëdhenj të Ballkanit dhe njeriu që ka vrarë e likuiduar më shumë se një milion njerëz.
Profesori i UP-së, Milazim Krasniqi, duke cituar arkivat e dokumenteve serbe, shpjegon se në ish –Jugosllavinë e Titos janë vrarë ose kanë vdekur nga ekspozimi ndaj kushteve çnjerëzore 1 milion e 170 mijë njerëz. Në këtë numër janë mbi 50 mijë shqiptarë të vrarë e masakruar.
Gjatë kohës së pushtetit të Titos, tri herë ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë.
Megjithëkëtë, Mentor Mahmuti thotë se nuk ka simpati të njëjtë për qenin dhe ish-shefin e Jugosllavisë së dikurshme.
“Dashuria për qenin Josip Broz Pipo është e madhe, por ndjenja të ngjashme nuk ndaj edhe për personin në të cilin jam bazuar për emër”, thotë ai.
Djaloshi nga Prishtina ka 5 vjet që e ka qenin e llojit “Dogo Argentino”, i cili tashmë është pjesë e pandashme e familjes dhe gjithë miqve të tij.
Por, në lidhje me mendimet e tij personale ndaj Titos, ai e quan atë si lider interesant krahasuar me natyrën e liderëve të tjerë të shteteve të ashtuquajtura socialiste ose komuniste. Ai pohoi se njohuritë e tij për të janë të mjegullta.
Një pjesë e shqiptarëve e konsiderojnë Titon si njërin prej liderëve të mirë të kohës. Madje, e përmendin si meritë të tij edhe hapjen e universitetit dhe hapjen e shumë fabrikave në Kosovë.
Pronari i qenit me emrin “Josip Broz-Pipo” nuk e ka problem nëse dikush e keqkupton pse e ka pagëzuar kafshën e butë më një udhëheqës kundërthënës.
Madje, ai thotë se rrëfimet e njerëzve më të moshuar janë se Tito ishte njëfarë lideri interesant i kohës.
“Po, definitivisht po. Mësa kam dëgjuar nga gjeneratat më të vjetra, Tito konsiderohej si balanc i Jugosllavisë”, u shpreh ai.
Pipo nuk është i vetmi në Prishtinë që emri i tij fillon me Josip Broz pasi që në hotelin Grand gjendet një suitë e cila mban emrin e plotë të ish presidentit gugosllav, ku ai kishte qëndruar në vizitën e tij të fundit në Kosovë në vitin 1979, pak kohë para vdekjes së tij, më 4 maj 1980.
*Rinesa Osmanaj është studente e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë.












