Osmani: Kurtit nga sot i rritet përgjegjësia, LDK është këtu – pret përgjigje konkrete nga VV

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albin Kurtin si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Pas pranimit të propozimit të mandatarit për formimin e Qeverisë nga VV, presidenti i vendit, Hashim Thaçi e ka ftuar të propozuarin Kurti për ta pranuar dekretin sot, shkruan Periskopi. Anëtari i kryesisë së LDK-së, Naser Osmani në një […]
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albin Kurtin si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Pas pranimit të propozimit të mandatarit për formimin e Qeverisë nga VV, presidenti i vendit, Hashim Thaçi e ka ftuar të propozuarin Kurti për ta pranuar dekretin sot, shkruan Periskopi.
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Naser Osmani në një prononcim për Periskopin thotë se nga sot, Kurtit i rritet përgjegjeësia për të arritë marrëveshje për koalicion me LDK-në meqenëse fillon numërimi i kohës prapa.
Osmani thekson se tani gjithçka është në dorën e VV dhe janë në pritje të një përgjigje nga ky subjekt.
‘’Tash prej sot i rritet përgjegjësia Albin Kurtit që mos me ju djeg mandati dhe sigurisht që me bë përpjekje për të arritë marrëveshje për koalicion sipas kërkesë së LDK-së. Për momentin ne jemi partneri që e ka zgjedhjë Lëvizja Vetëvendosje. Ne tash presim përgjigje konkrete prej VV-së’’, tha Osmani.
Juridikisht nga sot fillojnë të rrjedhin afatet ligjore për formimin e qeverisë, ku nga dita e dekretimit nga Presidenti i Republikës, rrjedhë afati 15 ditor për paraqitjen e kabinetit qeveritar për votim në Kuvend. Nëse dështon herën e parë mandatari, mbetet në diskrecionin e Presidentit të Republikës që brenda 10 ditësh ta caktojë mandatarin e dytë. Nëse dështon prapë herën e dytë, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 40 ditësh./Periskopi/Z.R/












