Oferta e LDK-së, në kundërshtim me propozimin e LVV-së

LVV-ja dhe LDK-ja nuk kanë zhvilluar asnjë takim gjatë kësaj jave rreth arritjes së marrëveshjes finale për formimin e qeverisë. Por të dyja subjektet i kanë bërë njëra-tjetrës oferta të njëpasnjëshme për bashkëqeverisje. LDK-ja ka kërkuar që posti i kryeparlamentarit t’i kalojë Lidhjes Demokratike të Kosovës deri në zgjedhjen e presidentit të ri, i cili […]
LVV-ja dhe LDK-ja nuk kanë zhvilluar asnjë takim gjatë kësaj jave rreth arritjes së marrëveshjes finale për formimin e qeverisë. Por të dyja subjektet i kanë bërë njëra-tjetrës oferta të njëpasnjëshme për bashkëqeverisje. LDK-ja ka kërkuar që posti i kryeparlamentarit t’i kalojë Lidhjes Demokratike të Kosovës deri në zgjedhjen e presidentit të ri, i cili gjithashtu do t’i përkiste partisë së drejtuar nga Isa Mustafa.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk e ka shqyrtuar fare ofertën e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), përmes së cilës u propozua që numri i ministrive të rritet nga 12 sa ishte planifikuar në 14 sosh. Kështu ka njoftuar lideri i LDK-së Isa Mustafa, i cili ka thënë se partia që ai drejton nuk ka kërkuar ndryshim e as këmbim të ministrive, ndaj nuk e trajton e as nuk e shqyrton një pozicionim të tillë të LVV-së. Sidoqoftë LDK-ja ia ka dorëzuar Vetëvendosjes një ofertë tjetër, ku ka kërkuar që numri i dikastereve qeveritare të mbetet ashtu siç ishte ideuar në fillim, 12. Por në këtë propozim, të dorëzuar gjatë së mërkurës, thuhet po ashtu se LDK-ja duhet ta ketë postin e kryeparlamentarit deri në zgjedhjen e presidentit, ndonëse tashmë kryetar Kuvendi është zgjedhur anëtari i Kryesisë së LVV-së Glauk Konjufca. Sipas LDK-së, tek pas zgjedhjes së shefit të ri të shtetit, të propozuar nga partia që udhëheq Isa Mustafa, LVV-së do t’i kthehet pozita e kryetarit të Kuvendit.
Oferta e LDK-së, në kundërshtim me propozimin e LVV-së
Gjersa ka bërë të ditur përmbajtjen e ofertës së LDK-së, e cila i është dorëzuar dje Lëvizjes Vetëvendosje, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se përmbajtja e saj është propozuar në takimin e 8 janarit. Në kuadër të këtij dokumenti, pos tjerash, bën pjesë edhe pika, në të cilën thuhet se pozita e kryeparlamentarit duhet t’i kthehet LDK-së. “LDK-ja do ta ketë kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit, pastaj kryetari i Kuvendit do t’i kalojë LVV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (LVV-ja e ka kryeministrin, LDK-ja kryetarin e Kuvendit)”, theksohet në përmbajtjen e kësaj oferte.
Në pikën e dytë të propozimit thuhet se qeveria e ardhshme duhet t’i ketë gjithsej 12 ministri. Një propozim i tillë i është drejtuar LVV-së pavarësisht faktit se kjo e fundit para pak ditësh ka konfirmuar se i ka propozuar LDK-së që numri i dikastereve qeveritare të shkojë deri në 14. “Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët”, theksohet në ofertën e LDK-së.
Në vazhdim flitet edhe për postin e presidentit, me ç’rast thuhet se partnerët e koalicionit për president të ardhshëm të Kosovës do ta përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja. Gjithashtu thuhet se pesë ministri duhet t’i takojnë LDK-së, derisa pesë të tjera LVV-së.
Ndonëse LVV-ja nuk ka bërë të ditur nëse do ta shqyrtojë këtë ofertë, zyrtari i Sekretariatit për medie i këtij subjekti, Erzen Vraniqi, ka publikuar dje një video-incizim të datës 26 janar, në të cilin lideri i LDK-së Isa Mustafa thotë se ky subjekt do ta votojë pa asnjë kusht themelimin e institucioneve të reja, të drejtuara nga LVV-ja. Një deklaratë e tillë është bërë pak orë para zgjedhjes së Konjufcës kryeparlamentar, për të cilin pro votuan edhe deputetët e LDK-së. “Me Kushtetutë i takon partisë së parë që ta bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit. Në qoftë se do ta kemi një kandidat që e propozon LVV-ja, ne jemi marrë vesh që ta votojmë atë kandidat, në mënyrë që të mos krijojmë pengesa kushtetuese për konstituimin e Kuvendit”, qe shprehur kreu i LDK-së.
Në anën tjetër, para se LDK-ja ta bënte publike ofertën e saj drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje, LVV-ja propozoi që numri i ministrive të rritet nga ai që ishte propozuar në fillim mes palëve. “E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14 sosh, me ç’rast Lëvizja Vetëvendosje i ka 5 ministri, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK-në vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV-ja”, thuhej në propozimin e Vetëvendosjes.
Sa i takon presidentit, LVV-ja në ofertën e fundit ka thënë se duhet të bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e presidentit, duke u bazuar në draftin fillestar nga LDK-ja që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për konsensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish- PAN-in.
LDK-ja paralajmëron takimin e fundit me LVV-në
Lidhur me këtë është deklaruar lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se ky subjekt nuk e ka shqyrtuar fare ofertën e bërë nga LVV-ja. “Ne nuk kemi hyrë ta vlerësojmë atë çfarë na ka shkruar Lëvizja Vetëvendosje. Në asnjë rast ne si LDK nuk kemi kërkuar shtim të ministrive, s’kemi kërkuar ndryshim e as këmbim të ministrive. Nuk e trajtojmë dhe nuk e shqyrtojmë një pozicionim të tillë të LVV-së”, ka deklaruar ai.
Kreu i LDK-së tutje ka thënë se do të presin se si do të veprojë Lëvizja Vetëvendosje pas ofertës së fundit të dërguar nga ana e Lidhjes Demokratike e Kosovës. “Ajo është ofertë që ne e kemi trajtuar gjatë bisedave tona, ne kemi kërkuar që LVV-ja pas datës 26 ta sqarojë pozicionin e saj lidhur me partneritetin e mëtutjeshëm dhe si e shohin ata vendin e LDK-së në këtë partneritet. Së pari të sqarojë se ne nuk duam të bëjmë asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje nëse nuk është marrëveshje partneriteti, në të cilën të dyja palët do të ndiheshin të fuqishëm për aq sa kanë marrë besimin e qytetarëve të Kosovës”, ka vazhduar Mustafa.
LDK-ja dhe LVV-ja, siç ai ka vazhduar, nuk kanë arsye të ulen të diskutojnë më me orë të tëra. Takimi i ardhshëm, siç Mustafa shprehur, duhet të bëhet vetëm për ta arritur marrëveshjen finale për bashkëqeverisje. “Nuk shoh arsye që të ulemi dhe të flasim për tri orë dhe të dalim si memecë pranë jush. Shoh arsye që takimi i ardhshëm të bëhet vetëm për të arritur deri te marrëveshja. Shoh arsye që të bëjmë marrëveshje, por marrëveshje partneriteti. Është e papranueshme që të zvarritemi”, ka potencuar i pari i LDK-së, shkruan Zeri.
Kombinimi i ofertave, mundësi për ta tejkaluar ngërçin
Teksa ka komentuar ofertat e dy partive, të drejtuara njëra-tjetrës, njohësi i çështjeve politike Armend Muja ka thënë se gërshetimi i tyre mund të çojë deri te zgjidhja e situatës. “Kombinimi i këtyre ofertave mund ta zgjidhë ngërçin politik. Duke përllogaritur faktin që LVV-ja e ka vështirë të heqë dorë nga kryeparlamentari në këtë kohë dhe faktin që edhe LDK-ja ka votuar për të, duhet përqendruar në këtë formulë: Pozita e kryeparlamentarit të ushtrohet me rotacion – dy vjetët e para për LVV-në, ndërsa dy vjetët e tjera për LDK-në”, ka deklaruar Muja, teksa ka propozuar që të krijohen gjithsej 14 ministri.
Ndërkaq njohësi i rrethanave politike Artan Murati ka thënë se oferta e LDK-së duhet të shqyrtohet nga Vetëvendosja dhe të jepet një version përfundimtar se si të ecet tutje. Kjo, pasi sipas tij zvarritja për bërjen e qeverisë së ardhshme tanimë duhet të marrë fund. “Është pozitive që ka një refleksion të LDK-së karshi ofertës së fundit të Vetëvendosjes për arritjen e një marrëveshje. Kjo nënkupton që mund të ketë lëvizje në këtë drejtim. Kundëroferta e LDK-së duhet të vlerësohet nga ana e LVV-së dhe të jepet versioni final i saj”, ka deklaruar ai.












