Muhaxhiri për mandatimin e Kurtit: Lajm shumë i mirë, fillim i fundit të sagës VV-LDK

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se propozimi i Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje për mandatar për krijimin e Qeverisë është një lajm shumë pozitiv. “Lajmi i sotëm ishte më i miri në javët e fundit, sepse kjo vonesë u bë e tepërt, e pakuptueshme dhe e palogjikshme. Për fat të keq të spektrit politik, […]
“Lajmi i sotëm ishte më i miri në javët e fundit, sepse kjo vonesë u bë e tepërt, e pakuptueshme dhe e palogjikshme. Për fat të keq të spektrit politik, por edhe të qytetarëve sa më shumë që kalonte koha aq më shumë largoheshin pozicionet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së”.
“Pozicionet e këtyre dy partive u larguan aq shumë sa erdhi deri te një momentum i përplasjes së madhe publike në mes të përfaqësuesve të tyre. Nuk kishte më asnjë kuptim që të flitej për një koalicion potencial duke e pasë parasysh këtë situatë të helmuar politike, sepse filloi ashpërsimi i madh i diskursit”.
“Presioni u bë pothuajse i padurueshëm – më shumë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe ndaj LDK-së. Presioni më i madh ishte kryesisht ndaj Albin Kurtit, sepse u bë e pakuptueshme që një mandatar të mos dëshirojë që ta marrë mandatin dhe një fitues i zgjedhjeve të mos mund ta bëjë këtë”.
Muhaxhiri e sheh mandatimin e Albin Kurtit për formimin e Qeverisë si një fillim drejt përfundimit të gjithë kësaj situate politike që është krijuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Sot është fillimi i fundit të sagës – me aktin e Albin Kurtit me shprehjen publike të vullnetit për ta marrë mandatin për krijimin e Qeverisë”.
Por, si do të përfundojë ‘saga’?
“Kryesorja është që saga të përfundojë. Me rëndësi është që të ketë një përfundim në çdo skenar të mundshëm”.
“Nëse Albin Kurti mund ta arrijë koalicionin për 15 ditë, ai duhet ta bëjë atë. Nëse nuk arrin që ta bëjë këtë Albin Kurti, atëherë i takon mandatarit të dytë – që logjikisht do të duhej të ishte Isa Mustafa – që ka në dispozicion 10 ditë. Nëse nuk arrin as mandatari i dytë ta krijojë qeverinë, atëherë mund të shkojmë edhe në zgjedhje të reja”.
“Kryesorja është që tani ka filluar numërimi. Deri më tani ka qenë mjegullnajë dhe amulli, derisa nga sot e kemi 4 shkurtin si një datë që vlen për Albin Kurtin, por edhe për Isa Mustafën. Më e rëndësishmja është që nga sot fillon të kristalizohet situata”.
Muhaxhiri në Info Magazine të Klan Kosovës ka folur edhe për adresimin e Albin Kurtit përmes videove – një veprim që po e pengon LDK-në, derisa Lëvizja Vetëvendosje e sheh si transparencë ndaj publikut.
“Albin Kurti ka lexuar shumë filozofi dhe ndoshta kjo është një qasje post-moderne e një hiper-transparence ku më parë e merr vesh qytetari i thjeshtë sesa Isa Mustafa, lideri i partisë me të cilën synon që të bëjë koalicion”.
“Kjo i ka edhe anët pozitive dhe negative. Ana pozitive është transparenca, mirëpo ekziston edhe ana negative pasi që gjithmonë kur bëhen negociata në publik dalin vetëm 10 apo 20 për qind të asaj çfarë bisedohet, derisa 80 ose 90 për qind mbesin mes mureve sepse kjo është edhe ideja e negociatave”.
“Ka aty fjalë që nuk guxojnë të dalin në publik. Ekziston një lloj sekreti dhe atmosferë e marrëveshjes të cilat nuk bën të dalin jashtë, gjë që është normale për secilën negociatë politike”.
Ai ka thënë se LDK-ja konsideron se këto veprime janë thyerje të mirëbesimit.
“Në fakt, tani Albin Kurti duhet të bëjë koalicion politik me LDK-në dhe jo me qytetarët. Ai është i varur politikisht prej LDK-së”.
“Kjo e mirë do të duhej të shihej në fund, sepse Albin Kurti dhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes e përmendin shpesh fjalinë ‘fundi e rikuptimëson fillimin’. Nëse në fund dështon, atëherë kjo do të dalë si taktikë e dështuar”.
“Albin Kurti po rrezikon shumë, sepse sinqerisht edhe qytetarët do t’ia bënin hallall sikur të mos ishte kaq transparent, por vetëm ta bënte koalicionin”.












