I quan çnjerëzor: AGK iu kërkon gazetarëve që të bojkotojnë takimet VV-LDK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës [AGK], një shoqatë e çuditshme me disa gazetarë pjesë të saj, ka kërkuar nga gazetarët që të bojkotojnë takimet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Tash e tre muaj, VV dhe LDK po përpiqen të zhvillojnë takimet për arritjen e një marrëveshjeje për qeverinë e re. Por, AGK-ja është shprehur e shqetësuar […]
Tash e tre muaj, VV dhe LDK po përpiqen të zhvillojnë takimet për arritjen e një marrëveshjeje për qeverinë e re.
Por, AGK-ja është shprehur e shqetësuar për situatën në të cilën gjenden gazetarët pasi që nuk po marrin informacionet që po kërkojnë, përcjell Periskopi.
Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se shoqata që e drejton do t’iu kërkojë të gjithë gazetarëve që të bojkotojnë takimet mes këtyre dy partive.
Në fakt, asnjë politikan nuk ka për detyrë të ndajë informacione sensitive nëse një gjë të tillë nuk e sheh të nevojshme. Bisedimet prapa dyerve të mbyllura haptas shfaqin idenë se bisedimet nuk mund të jenë të hapura për publikun, por duket se znj.Begolli nuk arrin ta kuptojë një gjë të tillë.
Ajo po ashtu ka përmendur edhe trajtimin e keq të gazetarëve që janë të detyruar të qëndrojnë jashtë, në temperatura të ulëta.
Postimi i plotë i Begolli-Pustinës pa ndërhyrje:
Tërësisht e papranueshme, jo korrekte, jo profesionale, për më tepër edhe jo humane, trajtimi i gazetarëve dhe xhiruesve gjatë përcjelljes së takimeve në mes VV e LDK.
Përderisa këto takime zgjasin me orë të tëra, gazetarët janë të detyruar të qëndrojnë jashtë, në temperatura të ulëta.
Kërkojmë që urgjentisht të merren masa që kolegët tonë të trajtohen me korrektësi, në mënyrë dinjitoze dhe mos të vazhdoj edhe më tutje ky trajtim jo human.
Nëse gazetarët e xhiruesit do të vazhdojnë edhe me tutje të ballafaqohen me këtë trajtim, ne si AGK do të kërkojmë nga kolegët tonë bojkotimin e përcjelljes së takimeve, ku anëtarët e komunitetit tonë shpërfillen dhe pengohen në kryerjen e detyrës së tyre.












