Goditen abuzuesit me ndërtimet në Durrës, në pranga 17 policë dhe zyrtarë vendor

Një hetim i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim e nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës ka çuar në pranga shtatëmbëdhjetë zyrtarë të policisë dhe të pushtetit vendor. Operacioni blic u krye nga FNSH. Ndërkohë një tjetër është shpallur në kërkim dhe një është pezulluar nga detyra. […]
Ndërkohë një tjetër është shpallur në kërkim dhe një është pezulluar nga detyra.
Të gjithë dyshohen se lejuan ndërtime pa leje në zonën e Durrësit, Manzës dhe Shijakut.
“Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Durrës, në bashkëpunim e nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, finalizoi me sukses operacionin e koduar “ABUZUESIT”, në funksion të procedimit penal të nisur në vitin 2019 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“ për një sërë zyrtarësh policorë, inspektorë vendor, përfaqësues të pushtetit lokal e ndërtues”.
Operacioni u finalizua pas një hetimi disa mujor, duke aplikuar metoda speciale u dokumentuar me prova ligjore veprimtaria e kundërligjshme e subjekteve të këtij procedimi, të cilët duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por dhe me shtetas të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtim të paligjshëm, në bashkëpunim”.
“Subjektet e këtij procedimi penal, kryenin funksione publike në Policinë e Shtetit, nëpunës të Njësive Administrative, IKMT-ve dhe INUV-it në Durrës, Shijak dhe Manzë”.
Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundërligjshme e këtyre subjekteve dyshohet se është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme.
Veprimet dhe mos-veprimet e tyre konsistojnë në favorizime të ndërtimeve pa leje, falsifikime dokumentesh, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos evidentim të kallzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore etj.
“Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me kompetencat e ushtrimit të detyrës, dyshohet se kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin edhe në vlera monetare, i cili ka mundësuar dhe sjellë si pasojë ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj., duke shmangur kështu zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre”./oranews/












