Gjykata e Prishtinës ia rriti dënimin dhe e ftoi në burg: Shoku i burgut të Astrit Deharit nuk përgjigjet

Portali kosovar kallxo.com mbrëmë ka raportuar se njëri nga shokët e dhomës së burgut të aktivistit të ndjerë Astrit Dehari është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë. Adonis Gashi ishte dënuar në rastin e vrasjes së policit Shemsedin Gashi ndërsa ishte në liri për disa muaj pas shpalljes së aktgjykimit nga gjykata e shkallës […]
Portali kosovar kallxo.com mbrëmë ka raportuar se njëri nga shokët e dhomës së burgut të aktivistit të ndjerë Astrit Dehari është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë.
Adonis Gashi ishte dënuar në rastin e vrasjes së policit Shemsedin Gashi ndërsa ishte në liri për disa muaj pas shpalljes së aktgjykimit nga gjykata e shkallës së parë.
Në ndërkohë Gjykata e Apelit e ka rritur dënimin e tij për dy vite e dy muaj, pra ai është dënuar me 8 vjet burgim.
Mësohet se Gjykata e Prishtinës ka kërkuar kthimin e Gashit në burg mirëpo ai nuk u është përgjigjur ftesave.
Ndonëse rasti është ende i pakonfirmuar, kanë nisur reagimet lidhur me këtë rast.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, është shprehur e tronditur me këtë lajm, teksa ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet të vihen në lëvizje sa më parë për të zbardhur këtë rast, shkruan Periskopi.
Haxhiu ka kërkuar gjithashtu që të lajmërohet familja e Astrit Deharit dhe të gjithë aktivistët që kërkojnë drejtësi për Astritin.
Reagimi i plotë i Albulena Haxhiut:
Mbrëmë nga portali kallxo.com u informuam se njëri nga personat që ka qenë në dhomë me aktivistin tonë Astrit Dehari është zhdukur. Padyshim se ky lajm ishte tronditje e radhës për të gjithë ne që kërkojmë drejtësi për Astritin!
Sikurse mbrëmë as sot nuk kemi asnjë informacion se a janë të sakta këto lajme, nëse po, çfarë po bëjnë institucionet në këtë drejtim.
Familja, aktivistët dhe qytetarët duhet të njoftohen sa më parë.
Drejtësi për Astrit Deharin!












