Demokratët: Duhet ta shkarkojmë Presidentin Trump nëse duam të kemi zgjedhje të lira

Donald Trump duhet të largohet nga pozita e presidentit të ShBA-ve në formë që të mbrohen zgjedhjet presidenciale të këtij viti, të ruhet kushtetuta dhe të mbrohet siguria kombëtare, sipas fjalës hyrëse në procesin për shkarkimin e tij të nisur nga Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve. Presidenti amerikan abuzoi pushtetin që i jep pozita e […]
Presidenti amerikan abuzoi pushtetin që i jep pozita e tij, “braktisi betimin e tij për të zbatuar me besnikëri ligjet dhe ka tradhtuar besimin publik” në çështjen e Ukrainës, thuhet në memorandum.
Po ashtu aty argumentohet që sjellja e z.Trump që provonte t’i bënte presion Ukrainës për të nisur një hetim ndaj rivalit të tij politik ishte “makthi më i keq” për kushtetutën e ShBA-ve, shkruan Independent, përkthen Periskopi.
“Senati duhet ta dënojë dhe ta largojë nga detyra Presidentin Trump për të shmangur dëme serioze afatgjate për vlerat tona demokratike dhe për sigurinë e kombit,” thuhet në dokument.
Ekipi ligjor i presidentit Trump menjëherë goditi mbrapsht duke thënë se hetimi për shkarkimin e Trumpit ishte “një sulm i rrezikshëm mbi të drejtën e qytetarëve amerikanë për ta zgjedhur në mënyrë të lirë presidentin e tyre”.
“Kjo është një përpjekje e pacipë dhe e paligjshme për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2016 dhe për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020, vetëm disa muaj para se të ndodhin,” kanë thënë avokatët e presidentit. /Periskopi












