Bota pret përgjigje për avionin e rrëzuar nga Irani

Komuniteti ndërkombëtar pret përgjigje për Boeing-un e goditur gabimisht nga Irani, theksoi sot kreu i diplomacisë kanadeze pas një takimi të vendeve të prekura, të cilët i kërkuan Teheranit të dëmshpërblejë familjet e viktimave dhe të gjykojë përgjegjësit. “Familjet kërkojnë përgjigje, komuniteti ndërkombëtar kërkon përgjigje. Bota pret përgjigje dhe ne nuk do t’i braktisim përpjekjet […]
“Familjet kërkojnë përgjigje, komuniteti ndërkombëtar kërkon përgjigje. Bota pret përgjigje dhe ne nuk do t’i braktisim përpjekjet tona deri sa të kemi përgjigje”, deklaroi ministri kanadez i Punëve të Jashtme, François-Philippe Champagne.
“Ky nuk është momenti për të akuzuar, por është momenti për të marrë përgjigje”, nënvizoi ai.
Ai u shpreh pas një takimi në Londër me homologët e Britanisë së Madhe, Ukrainës, Suedisë dhe Afganistanit, shtetasit e të cilëve kanë humbur jetën gjatë rrëzimit të Boeing 737 të kompanisë ukrainase “Ukraine International Airlines” më 8 janar.
Në një komunikatë të publikuar në përfundim të takimit, pesë vendet i kërkojnë Iranit të mbajë përgjegjësi të plotë për katastrofën, duke përfshirë këtu dhe dëmshpërblimin./ATSH/












