Afërsia e përçudshme gati 10 vjeçare e Kurtit me Rugovën

Sot është përvjetori i katërmbëdhjetë i vdekjes së Presidentit të Kosovës, z.Ibrahim Rugova. Rugova ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK] prej themelimit të saj më 1989 e deri në vdekje duke ushtruar gjatë gati së njëjtës periudhë edhe funksionin e presidentit të Kosovës. Ibrahim Rugova konsiderohet si ati themelues i Pavarësisë së Kosovës […]
Ibrahim Rugova konsiderohet si ati themelues i Pavarësisë së Kosovës duke qenë ndër avokuesit më të zellshëm e më të mprehtë gjatë gjithë veprimtarisë së tij politike.
Për dallim nga liderët e sotëm të Kosovës me një dell të fortë prej llafazanësh, Rugova shquhej për urtësinë e maturinë e tij, madje edhe ndaj oponentëve e rivalëve më të fortë duke bërë thirrje për pluralitet politik.
Për fat të keq, z.Rugova nuk ia doli që ta mbërrinte shpalljen e Pavarësisë së Kosovës që u bë vetëm 2 vjet e 27 ditë pas vdekjes së tij. Ndërkohë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës u hartua në atë formë që pengonte ushtrimin e detyrave politike në të njëjtën formë si z.Rugova.
Një kryetar partie nuk mund të ishte edhe president i Republikës së Kosovës. Asnjë parti politike parlamentare në Kosovë nuk ishte kundër një interpretimi të tillë të funksionit të Kushtetueses dhe nuk e kontestoi cenimin retroaktiv të historisë së veprimtarisë së z.Rugova, shkruan Periskopi.
Sidoqoftë, një parti politike kur vendosi të bëhej pjesë e garës politike vendore vendosi që cenimin retroaktiv të veprimtarisë politike të Rugovës [që ushtronte edhe postin e kryetarit të partisë, edhe atë të presidentit të vendit] ta shfajësonte plotësisht përmes një pike në statutin e saj: Lëvizja Vetëvendosje!
Ani që Vetëvendosje për një kohë të gjatë ka përqafuar me afsh figurat më të ashpra anti-rugoviane si z.Rexhep Qosjen dhe z.Adem Demaçi, dhe ka përdorur retorikën e tyre për të sulmuar LDK-në dhe vetë Rugovën, kjo pikë statutare megjithatë e bënte më të afërt.
Sipas statutit të saj, nëse kryetari i partisë zgjidhej kryeministër i vendit ai duhej që të jepte dorëheqje si kryetar partie. Kjo sepse, Vetëvendosje dikur e konsideronte shtetin më të rëndësishëm se sa partinë. Por, Kurti së fundi raportohet se ka vendosur që ta heqë këtë pikë të statutit duke i mundësuar vetes të ushtronte të dyja funksionet.
Kurti është lideri i vetëm politik në Kosovë që nuk ka nderuar asnjëherë figurën e z.Rugova duke i shkuar te varri.
Ndërkohë që pozita e presidentit raportohet se është ndër pikat që ndan LDK-në me Vetëvendosjes për arritjen e marrëveshjes për Qeverinë e Re. Kjo pozitë politike, përkundër që Kushtetuta i jep karakter unifikues, ka qenë vazhdimisht e përfshirë në pazare politike të partive tona, ndërkohë që asnjëra prej tyre nuk ka kërkuar ndërrim të mënyrës se zgjedhjes, duke i dhënë popullit mundësinë që këtë ta bënte pa ndërmjetësinë e partive politike. /Periskopi












