Kuçi e lë të hapur mundësinë e koalicionit paszgjedhor PDK – LDK

“Preken LDK-ja, por çdo marrëveshje eventuale që synohet pa këto dy parti, e ka shumë gabim”, ka thënë Hajredin Kuçi i PDK-së, kur është pyetur se më kë do të bëjë koalicion PDK-ja, në rast se del e para në zgjedhjet e 6 tetorit, kur pothuajse të gjitha i kanë vënë vija të kuqe. “Vijat […]
“Vijat e kuqe të partive të tjera i kanë si pasojë e mungesës së ideve politike. Hiqja PDK-në dhe Hashim Thaçin prej fjalorit, çka do të thonë. Pyetni, a kanë program. Nëse duan të jenë kundër PDK-së, le ta bëjnë një OJQ e ta lënë politikën”, ka thënë Kuçi, në Interaktiv të KTV-së.
Kuçi ka thënë se “veprimet ilegale nuk do t’i institucionalizojmë dhe veprimet e dëmshme nuk do t’i legjitimojmë”.
Tutje Kuçi ka thënë se në PDK i marrim për bazë shumë sondazhet, të cilat këtë parti nuk e nxjerrin fituese.
“Por duhet të them se sondazhet edhe në vitin 2014 nuk na kanë nxjerr mirë, por kemi dal fitues”, ka thënë Kuçi. “Mund të them se aktivizimi i strukturave tona ngjan me atë të vitit 2007. Kemi listë të mirë, prezantim, zotimin e implementimit”, ka thënë ai.
Duke u përgjigjur në kritikat se PDK-në e ka lodhur pushteti Kuçi ka thënë se “politika nuk të lodhë fizikisht”.
“Madje mund të them se kurrë më të pjekur politikisht nuk kemi qenë”, ka thënë Kuçi.
Megjithatë ai ka thënë se PDK-ja është e gatshme të respektojmë vullnetin e qytetarëve.
Kuçi është përgjigjur edhe në akuzat e Ramush Haradinajt të AAK-së që tha se PDK-së po ia bënë fushatën kompania e njëjtë që ia ka bërë edhe Aleksandër Vuçiq.
“Nuk e di çfarë paska deklaruar. Por ne kemi përvojë të mjaftueshme për të bërë fushatë, madje më mirë se shumë kompani të huaja. E njohim çdo pëllëmbë të Kosovës. Ne jemi të hapur për debat publik për këtë punë. Unë nuk jam pjesë e atyre aranzhmaneve, por gjithçka është transparente”, ka thënë Kuçi.












