Ish-ambasadori amerikan: Në dialog të përfshihen të gjithë, edhe Bill Clinton

Presidenti amerikan Donald Trump është i interesuar që t’i ndihmojë Beogradin dhe Prishtinën rreth dialogut, thotë ish-ambasadori amerikan në Serbi, Cameron Munter. Ish-diplomati amerikan në Serbi, është i mendimit se paralel me bisedimet dhe diplomacinë e ‘zhurmshme’, në rrethana të bisedimeve si këto mes Kosovës dhe Serbisë, nevojitet edhe një farë ‘diplomacie e heshtur’ – […]
U kthyet sërish në Beograd. Çfarë misioni keni tani?
Munter: Në kuadër të Dialogut në Ballkan (një temë) e Institutit Perëndim – Lindje, kemi nisur një seri të bisedimeve këtë vit dhe një tjetër do të mbahet shumë shpejt – në dhjetor. Jemi duke u munduar që të involvojmë sa më shumë njerëz që është e mundur, e posaçërisht lidhur me raportet mes Europës dhe Amerikës. Amerika tani ka një të dërguar të ri, Matt Palmer e po ashtu, edhe Bashkimi Evropian ka një komisioner të ri për politikën e jashtme, Kosova ka zgjedhje më 6 tetor, me një fjalë, njerëz të ri, ide të reja. Duam t’i bëjmë të gjithë bashkë e të flasim. Ky është edhe qëllimi i rikthimit tim këtu, t’i bëjmë njerëzit të flasin në këtë formë dialogu dhe të mësojmë se çka po ndodhë.
Çka prisni nga ky lloj dialogu?
Munter: Mendoj se jepen mundësi për njerëzit që punojnë në këtë formë bisedimi. Ne do ta vazhdojmë atë, jo vetëm që të bëjmë një debat të zhurmshëm publik, por përmes një ‘diplomacie të qetë’, të marrim përgjigje në disa pyetje të mëdha – përfshirë çështjen e Kosovës dhe Serbisë, ose lidhur me atë se cila është e ardhmja e Bosnjës, Maqedonisë Veriore, ose nëse më lejohet ta quaj një farë diplomacie transaksionale dhe të shohim se si mund t’i adrestojmë disa çështje. Çështja që ne besojmë në Institution tonë – përfshirë edhe mua – është se problemet rajonale nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm dhe kjo është ajo që e thotë edhe anëtari jonë i bordit në Institut, biznesmeni John Jovanoviq. Kështu që duhet përfshirje e politikanëve, ekonomistëve për çështja rajonale. Kemi ide që duken mjaft ambicioze për t’ua treguar të tjerëve dhe duam ta shohim se si po pranohen ato nga liderët politikë. Presidenti Vuçiq dhe zoti Daçiq, janë treguar mjaft ‘pranues’ në këto ide.
A keni pasur ndonjë diskutim me Vuçiqin lidhur me mundësinë e vazhdimit të dialogut tashmë të ngecur mes Beogradit dhe Prishtinës?
Munter: Derisa ky dialog ka ngecur, ne nuk kemi folur se çka ka ndodhur javën e kaluar, por kemi folur më shumë për planet dhe perspektivën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe lidhur me atë se çfarë lloj dialogu do të kemi në dhjetor, ndoshta mund t’i zgjidhim disa çështje. Natyrisht, ne ende nuk e dimë se kush do të jetë tash në anën e Kosovës (cilët politikanë do ta përfaqësojnë Kosovën në dialog, v.j), por e dimë se Presidenti Vuçiq është i interesuar që të vazhdojë ky dialog. Ne jemi të shqetësuar që tashmë kanë filluar të ngjajnë disa gjëra, të cilat, nuk kanë ndodhur para 10 vitesh, kur unë isha ambasador këtu. Puna është kështu tani, kemi një Kinë të interesuar këtu, poashtu edhe Turqinë si dhe Rusinë që vijnë me një sërë idesh të ndryshme. Duam të sigurohemi se po e kuptojmë pozicionin e secilit prej tyre sepse kemi të bëjmë me një çështje afatgjate.
A iu tregoi Vuçiqi ndonjë plan për Kosovën?
Munter: Jo, mënyra se si kemi diskutuar me Vuçiqin, nuk ka qenë e asaj natyre, që të themi: shiko ky është plani ynë, por kemi diskutuar në atë frymë se cila është zgjidhja më e duhur. Kemi diskutuar lidhur me problemet afatgjate, siç janë problemet e përbashkëta që kanë të bëjnë me rritjen e ekonomisë, transformimin e ekonomisë, problemin demografik që krijon një ndarje të njerëzve në regjion.
A mendoni se Mattheë Palmer mund t’i zhbllokojë bisedimet Prishtinë – Beograd?
Munter: Mendoj se ai mund të ndihmojë.
Situata duket mjaft e komplikuar, ka shumë të interesuar për dialogun. Berlini zyrtar dhe Parisi poashtu tashmë janë bërë pjesë e tij?
Munter: Jo vetëm ata. Është edhe Brukseli. Por ne i duam të gjithë ata të involvohen në dialog sepse çdokush që beson se mund të ndihmojë dialogun, mund të involvohet. Mendoj se Palmer, është një person që ka njohur të mira për rajonin (Ballkanin) dhe me pozitën e tij të re si i dërguar i ShBA’së, mendoj se do të jetë i fokusuar në bisedime, që përfshin edhe qëndrimin e qeverisë amerikane. Nuk mendoj se Palmer do ta vendos gishtin diku dhe të thotë se kështu zgjidhet problemi, por mendoj se ai është një zgjidhje shumë e mirë në këtë rast.
Çka mendoni për të emëruarin e ri si Këshilltar për Siguri Kombëtare në administratën Trump, pasi u largua John Bolton. Roli i tij në dialog?
Munter: Është vështirë të flas pasiqë nuk e njoh edhe aq mirë zotin O’Brien, por ai është ndryshe nga Bolton. Bolton ka një histori të gjatë të punës në Këshillin Kombëtar për Siguri. O’Brien në anën tjetër, nuk e ka një përvojë të tillë, mirëpo ai ka një reputacion mjaft të mirë me punën e tij me njerëz dhe ekipe e shto këtu që ka edhe besimin e presidentit amerikan, Trump, që është një gjë mjaft e rëndësishme. Për aq sa di, dhe njohurinë time e kam të bazuar në ato që lexoj çdo ditë në media, Presidenti Trump është i interesuar që të jetë ndihmues këtu (për dialogun, v.j). Ne e dimë këtë nga deklaratat e Bolton dhe Trump nga takime të ndryshme me shumë liderë dhe ato janë tregues të qartë se ai (Trump) është i interesuar për dialogun. Nga një këndvështrim amerikan, shihet që ka një fokusim të qeverisë amerikane në bisedime, por unë personalisht mendoj se ky fokusim nuk është i mjaftueshëm. Ata duhet të fokusohen në punën me njerëz, në reforma ekonomike dhe të punojnë pak më shumë në të ardhmen e ekonomisë. Kjo sepse, ajo që ne duam në këtë rajon – për vendet e këtij rajoni që të jetojnë në paqe me fqinjët e tyre, është të punojmë në reformat demokratike. Ju s’mund ta nënshkruani vetëm një copë letre, duhet punë pak më shumë dhe unë personalisht mendoj se Amerika mund të bëjë më shumë punë këtu. Mendoj se këtu, duhet të involvohen më shumë njerëz, të fushave të ndryshme.
Në një intervistë për N1, ju keni përmendur se Beogradi dhe Prishtina kanë pasur nëvojë për një ‘diplomaci sekrete’. Çka po ndodh prapa perdeve?
Munter: Kur shikojmë mirë, është një diplomacy e cila duket qartazi (vërehet) dhe një diplomaci që është më e heshtur. Kur njerëzit shohim se diçka është pak më sekrete, ata mendojnë se po ndodh kështu për shkak se ka ndonjë plan, por unë nuk punoj për ndonjë qeveri dhe nuk di ndonjë plan sekret. Por unë besoj se ka nevojë për ‘bisedime pak më të heshtura’.
Senatorët amerikanë ishin në Beograd javën e kaluar dhe thanë se Vuçiq është i gatshëm për një marrëveshje me Kosovën. Çka mendoni ju për këtë?
Munter: Interesane, nuk kam qenë pjesë e atyre takimeve dhe nuk e di çka saktësisht ka thënë Vuçiq, por në bazë të përkthimeve, Vuçiq është i gatshëm të flasë, por jo edhë të nënshkruajë. Sidoqoftë, kjo është e mirë, sepse kemi edhe në Kosovë njerëz që janë të gatshëm për bisedime. Mendoj se Vuçiq është poashtu i gatshëm për bisedime, sepse ai është i vetëdijshëm se e ardhmja e Serbisë është e lidhur pandashëm me të ardhmen e Kosovës. Asnjëra nuk mund të shkojë gjëkundi pa tjetrën.
A e e dini nëse ish-presidenti amerikan Bill Clinton është inkuadruar në bisedime, që kur Serbia ka ofruar 2 milionë dollarë për Fondacionin e tij?
Munter: Ka shumë njerëz që mund të përfshihen në dialog, edhe ish-Presidenti Bill Clinton do të ishte personi ideal të përfshihej në këto bisedime, por unë nuk di asgjë për këtë.
Çka mendoni për idetë zyrtare që qarkullojnë nga lidershipi politik se Kosova dhe Shqipëria do të mund ta përbënin Shqipërinë e Madhe?
Munter: Kur unë kam qenë diplomat, ne kemi qenë kundër formimit të Shqipërisë së Madhe sepse ne besojmë se qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, ashtu siç shqiptarët jetojnë në Maqedoninë Veriore.
Kur kemi biseduar herën e fundit, ju keni deklaruar se nuk e dini saktësisht çka kërkon administrata Trump për Ballkanin. A e dini tani?
Munter: Ka dhjetëra arsye që të bëjnë dëshmojnë se administrata Trump inkurajon dialogun dhe delegimi i një të dërguari të posaçëm, tregon këtë interesim. Mendoj poashtu, se presidenti Trump e do një fitore në politikën e jashtme. Nuk e di nëse ai është në dijeni sa duhet se si është situata në rajon, por e di që do të ishte një fitore në politikën e tij të brendshme duke e shënuar këtë (dialogun) si sukses të politikës së jashtme./Përktheu: PERISKOPI/












