Raporti që tregon rrjedhjen e parave për të blerë ç’njohjen e Kosovës

Në mars të këtij viti në Venezuelën e largët, ministri i jashtëm i këtij shteti po e takonte Vladimir Cizelj. Takimi i një biznesmeni me një vartës të diktatorit Maduro nuk do të duhej ta shqetësonte Kosovën, nëse nuk do të ishte ky shtet pro rus dhe ky biznesmen ata që pastaj do të angazhoheshin […]
Në mars të këtij viti në Venezuelën e largët, ministri i jashtëm i këtij shteti po e takonte Vladimir Cizelj.
Takimi i një biznesmeni me një vartës të diktatorit Maduro nuk do të duhej ta shqetësonte Kosovën, nëse nuk do të ishte ky shtet pro rus dhe ky biznesmen ata që pastaj do të angazhoheshin në një rrjet të tërë lobimi për të blerë tërheqjet e pavarësisë së Kosovës nëpër shtete të ndryshme.
Ditëve të fundit Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës ka akuzuar pikërisht këtë biznesmen që është këshilltar i afërt i ministrit të jashtëm të Serbisë Ivica Daciq.
Përtej akuzave, PORTALI.info ka siguruar një raport të organizatës ndërkombëtare “Forensics for Justice”, në të cilin përshkruhen detaje interesante që e involvojnë këtë biznesmen nga Serbia ne transaksione financiare në fushatën për blerjen e tërheqjeve.
Në deklaratën e një dëshmitari të këtij raporti që hulumton ish ministrin e jashtëm të Afrikës së Jugut David Mahlobo, tregon se si ky ish ministër i kishte kërkuar dëshmitarit hapjen e tre kompanive fiktive të cilat do të merrnin para nga Vlatacom që ësHtë kompani e Cizelj.
Sipas kësaj dëshmie paratë që do të paguheshin kinse shërbime ndaj Vlatacom në fakt do të përdoreshin për të blerë tërheqjen e njohjes së Kosovës.
Kush është Vladimir Cizelj?

Vladimir Cizelj, është shtetas slloven dhe emri i tij ndërlidhet me disa çështje në Serbi.
Ai përmendet në të ashtuquajturën aferën “Valixhe” të vitit 2006, kur zëvendësguvernatori i atëhershëm i Bankës Kombëtare të Serbisë, Dejan Simic, dhe një zyrtar i Partisë Socialiste, Vladimir Zagradani, u arrestuan me akuzën e ryshfetit, për gjoja kthimin e licencës së punës që Banka Kombëtare e Serbisë i kishte bërë Bankës Kredituese të Eksportit (KEB).
Ky arrestim dyshohet se ndodhi 15 minuta pasi Ivica Daçiq doli nga banesa e Simiq.
Vladimir Cizelj ishte një aksionar i Grupit “TBI” që e kishte në pronësi Bankën Kredituese të Eksportit.
Të gjithë akterët e kësaj afere u liruan në vitin 2011.
Në vitin 2012, mediat raportuan se kompania e Vladimir Cizeljit “Vlatacom”, kishte dorëzuar pajisje për takimin ndërkombëtar të sportit “Universiada” në Beograd, një vit e gjysmë pasi u mbajtën aktivitetet e këtij organizimi.
Kontrata për blerjen e pajisjeve me kompaninë “Vlatacom” ishte nënshkruar nga Ministria e Brendshme, e cila në atë kohë drejtohej nga Ivica Daçiq.
Në anën tjetër, Ministria e Jashtme e Kosovës, në një deklaratë të saj ditë më parë thotë se Cizelj ishte përfshirë në një skandal të njohur në Botsvanë të Afrikës së Jugut, për shitjen e sistemeve të enkriptimit, nëpërmjet marrjes së ryshfetit nga zyrtarë të lartë të qeverisë.
Por, ky vend e kishte mohuar që ka kontraktuar kompaninë “Vlatacom”.
Është interesant fakti se “Vlatacom” me qendër në Beograd, inicoi një takim të përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë dhe atyre të Botsvanës më 2017-të në Beograd. Në këtë takim u deklarua, mes tjerash, se “mbështetja e Botsvanës në përpjekjet e Serbisë për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial në Kosovë” është një bazë e mirë për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërmjet të dyja ministrive.
Kompania “Instituti Vlatacom” zhvillon produkte kompjuterike, siç janë sistemet për lëshimin e dokumenteve biometrike personale dhe të udhëtimit, sistemet për vërtetimin e identitetit, kontrollin e trafikut, e të tjera.
Sipas të dhënave nga raporti financiar i vitit 2018, Vlatacom është pronar i “Qendrës VT” në Beograd, dhe i firmës Vlatacom në Botsvanë, dhe se prodhimet e saja për kontroll automatik të dokumenteve të udhëtimit, dhe regjistrave të pasagjerëve përdoren në vendkalimet ndërkombëtare në Serbi, Nigeri dhe Moldavi.
Disa institucione shtetërore në Angolë, Botsvanë, Nigeri, Irak dhe Sllovaki, raportohet se gjithashtu se përdorin pajisjet e zhvilluara nga “Vlatacom”.
Lidhjet e Rusisë me Republikën e Afrikës Qendrore
Në vitet e fundit, Rusia e ka forcuar ndikimin e saj në Republikën e Afrikës Qendrore. Në muajin gusht të vitit të kaluar, ajo nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me atë vend.
Më 24 prill të vitit 2019, nënshkroi një marrëveshje tjetër, për krijimin e një zyre përfaqësimi të Ministrisë së Mbrojtjes ruse në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Afrikës Qendrore, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit midis ushtrive të dy vendeve.
Në qershor të vitit 2018, gazeta franceze “Le Monde” publikoi një tekst në lidhje me shkuarjen e oficerëve të inteligjencës ruse në Republikën e Afrikës Qendrore, për të trajnuar ushtrinë lokale.
Më poshtë mund të gjeni raportin e siguruar nga PORTALI.info të organizatës ku infiltrohet Cizelj:













