Presidenti italian i jep Contes mandatin për të formuar qeverinë e re: Shporret Salvini

Kryeministri në dorëheqje do të udhëheq koalicionin e Lëvizjes Pesë Yjet bashkë me partinë Demokratike që ishte në opozitë. Kryeministri italian në dorëheqje, Giuseppe Conte, ka thënë se ka ardhë vakti që “ta kthejmë krizën në mundësi” pasi pranoi mandatin e ri për të provuar që ta formonte një qeveri të re që do të […]
Kryeministri italian në dorëheqje, Giuseppe Conte, ka thënë se ka ardhë vakti që “ta kthejmë krizën në mundësi” pasi pranoi mandatin e ri për të provuar që ta formonte një qeveri të re që do të përbënte një pikë kthese për relacionet e prishura të Italisë me Bashkimin Evropian.
Presidenti Sergio Mattarella i ka dhënë Contes të drejtën për të siguruar një pakt mes partisë anti-establishment Pesë Yjet dhe partisë demokratike të qendrës së majtë [PD] në një lëvizje që do ta dëbonte Ligën e së djathtës ekstreme nga qeveria, shkruan The Guardian, përkthen Periskopi.
“Është një periudhë delikate për vendin dhe na vyen ta mbyllim këtë pasiguri politike sa më shpejt,” tha Conte pas takimit që kishte me Mattarellën gjatë kësaj dite.
Ai po ashtu deklaroi se Italia, një nga themelueset e BE-së, duhet të bëhej “protagoniste” në bllok.

Kjo do të ishte hera e dytë për Conten që ta udhëhiqte Italinë pasi kishte dhënë dorëheqje javën e kaluar, duke i dhënë fund aleancës turbulente me Ligën e Matteo Salvinit. Conte, një profesor i juridikut, i ka në dispozicion pak ditë për të siguruar që Lëvizja Pesë Yjet dhe PD-ja i kanë lënë anash dallimet për të krijuar një qeveri të fortë dhe jetëgjatë.
Dy partive iu mbetet që ta draftojnë një program dhe ta zgjedhin kabinetin. Një prej pengesave është roli i Luigi Di Maios, liderit të Lëvizjes Pesë Yjet. PD-ja ka ngulmuar që ai të largohet nga pozita e kryeministrit në këmbim të mbështetjes së Contes për kryeministër.
Një tjetër kërcënim për PD-në është edhe veprimtaria e Pesë Yjeve online, me programin e quajtur “Rousseau”, një rrjet online që kërkon votën e anëtarëve për të marrë vendime politike.
Është e paqartë se sa anëtarë ka sajti aktualisht, por thuhet se shumë aktivistë të kësaj partie janë kundër një aleance të tillë. /Periskopi