Ministri i brendshëm serb – ambasadorit O’Connell: Tregoji emrat e kriminelëve që nuk duhet t’i votojë Kosova

Ministri i brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, ka kërkuar nga ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, që t’i thotë emrat e ‘kriminelëve për të cilët ka bërë thirrje që të mos votohen’. “Do të dëshiroja t’i dëgjoja emrat e këtyre kriminelëve, sepse janë mësuar të na thonë neve se nuk kanë ndodhur krime në Kosovë. E […]
Ministri i brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, ka kërkuar nga ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, që t’i thotë emrat e ‘kriminelëve për të cilët ka bërë thirrje që të mos votohen’.
“Do të dëshiroja t’i dëgjoja emrat e këtyre kriminelëve, sepse janë mësuar të na thonë neve se nuk kanë ndodhur krime në Kosovë. E pastaj, fatkeqësisht, ata detyrohen t’u bëjë thirrje njerëzve të mos i votojnë kriminelët”, ka thënë Stefanoviq, shkruan B92, përcjell Periskopi.
Stefanoviq ka thënë se ‘Serbia do të dëshironte t’i dëgjonte emrat e këtyre kriminelëve’.
“Do të ishte më e dëshirueshme që ambasadori t’i thoshte edhe emrat e tyre, megjithëse unë jam kundër asaj që ambasadorët të përzihen në politikën e brendshme sepse kjo nuk është punë e tyre. Por ai (O’Connell) do të duhej të tregonte kush janë ata, sepse nëse do ta bënte këtë, do të ishte mirë t’i trajtonte ato informata me gjykatat dhe drejtësinë ndërkombëtare’, ka thënë Stefanoviq.
Ndryshe, para pak ditësh, ambasadori O’Connell, ka thënë se ‘ai kurrë nuk do të votonte një parti që ka përkrahur kriminelët’.
“Unë kurrë nuk do të votoja një parti e cila ka përkrahur kriminelët ose ka përfshirë kriminelët në listat e tyre”, ka thënë O’Connell./Periskopi/












