“Zbardhja e fatit të personave të pagjetur po mbahet peng nga politika”

Familjarët e personave të zhdukur në Kosovë thonë se ndërkombëtarët duhet të bëjnë presion te Serbia për zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur. Dy dekada pas përfundimit të luftës, ata vazhdojnë të presin lajme për më të dashurit e tyre, vendndodhja e të cilëve thonë se dihet mirë, por që zbardhja e fatit po […]
30 gushti “hap” plagët në secilën shtëpi ku dikush mungon. Dita Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur u sjellë atyre edhe njëherë në kujtesë që ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre të zhdukur.
Të mllefosur ndaj politikanëve, e të pashpresë, megjithatë familjarët thonë se nuk do të ndalen asnjëherë derisa të zbardhet fati i më të dashurve të tyre.
Edhe sivjet ata po pyesin “Çka me të pagjeturit”?. E këtë pyetje e kanë drejtuar ndaj gjithë atyre që janë të përfshirë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, gjatë një konference të mbajtur në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 30 gushtin në Prishtinë.
Udhëheqësit institucional në Kosovë vazhdimisht u kanë premtuar familjarëve që do ta kenë prioritet çështjen e të zhdukurve, madje edhe në bisedimet Kosovë-Serbi.
Por pushtetarët në Kosovë nuk arritën të mbyllin një prej çështjeve më të ndjeshme në vend, atë të të zhdukurve në luftë.
Nuk u mësuan asnjëherë vendndodhjet e mbi 1600 personave të zhdukur nga regjimi i Sllobodan Millosheviq në luftën e fundit në Kosovë, dhe kjo çështje nuk ushtrua në tavolinën e Brukselit, në bisedimet Kosovë-Serbi. Përveç në aspektin teknik.
Në vitin 2011, delegacioni i Kosovës në bisedimet në Bruksel kishte iniciuar çështjen e të pagjeturve, ku BE kishte kërkuar listat e personave dhe vendndodhjen e tyre. Por Serbia asnjëherë nuk bashkëpunoi në zgjidhjen e kësaj çështje.
Beogradi zyrtar nuk ka bashkëpunuar lidhur me këtë çështje duke mos dhënë lokacionet.
Agonisë së tejzgjatur, e përjetuar nga familjarët nuk po i vije fundi.
Rezultatet e pakta në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, kanë bërë që familjarët të mllefosën me ata që janë në krye të institucioneve dhe partive politike.
Tani në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës, Bajram Çerkini nga shoqata “Zëri i Prindërve”, që përfaqëson familjet e të zhdukurve, u bënë thirrje të gjitha shoqatave që mos të pranojnë të takohen me politikanë për fushata zgjedhore.
Çerkini i cili përfaqëson familjet shqiptare në Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur, thotë se nuk po marrin përgjigje konkrete për asnjë nga pyetjet që po i drejtojnë.
Sipas tij, të gjitha dosjet për këtë çështje janë në duart e politikanëve dhe të njëjtit duhet të përgjigjen.
Ai vazhdon të mendojë që zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, në mesin e tyre edhe djalin e tij të zhdukur, po e mbajnë peng politikanët.
E për drejtorin e Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili tash e 20 vjet është brenda procesit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, çështja ka mbetur nën mëshirën e një trysnie ndërkombëtare e cila nuk po ndodhë.
Sivjet shënohet 30 gushtin nën moton “20 vjet pritje, dhimbje e krenari”.
Aktualisht Kosova është në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe funksionon me qeveri të dorëhequr.
Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, thotë se
Dy vjet më parë në Prishtinë u hap Qendra multietnike Burimore për Persona të Zhdukur, me qëllim që të bashkohen përfaqësuesit dhe familjet e personave të zhdukur nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ajo udhëhiqet nga Bajram Çerkini, që përfaqëson familjet shqiptare, dhe Millorad Trifunoviq, koordinator i Shoqatës së Familjeve Serbe të Kidnapuara dhe të Zhdukura, nga familjet serbe.
Aty thonë se janë bashkuar për qëllimin e vetëm, që të mund të kuptojnë vendndodhjen e familjarëve të tyre ende të pagjetur.
Millorad Trifunoviq thotë se 30 gushti është dita kur ndjehen si njerëzit më të pikëlluar.
Sipas tij, familjarët nuk do të gjejnë asnjëherë ngushëllim nëse nuk e dinë varrin e më të dashurve të tyre.
Ai tha se lokacionet mund të gjenden fare lehtë, derisa thotë se ata që kanë kryer krime kanë vrarë edhe dëshmitarë, diçka që e bënë më të vështirë zbardhjen e procesit.
Duke folur për trajtimin që i bëjnë politikanët çështjes së personave të pagjetur, thotë se është shumë e nevojshme që çështja të shkruhet në bisedimet Kosovë-Serbi, por që sipas tij, zvarritja e këtij procesi mund t’i përshtatet dikujt nga politikanët.
Qendra Burimore për Persona të Zhdukur në Kosovë kërkon edhe 1653 persona, fati i të cilëve ende nuk dihet.
Nesër në Ditën Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur, do të marshohet në sheshet kryesore të Prishtinës, dhe familjarët e krerët institucional do të vendosin lule në obeliskun pranë Kuvendit të Kosovës.












