Sa afër koalicionit janë VV e LDK? – Flet Albulena Haxhiu

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, janë rritur zërat për zgjedhje e koalicione parazgjedhore. Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se këto zgjedhje janë pritur moti pasiqë sipas saj, Qeveria Haradinaj ka qenë qeveri e skandaleve. Jemi për zgjedhje të jashtëzakonshme edhe për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që […]
Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se këto zgjedhje janë pritur moti pasiqë sipas saj, Qeveria Haradinaj ka qenë qeveri e skandaleve.
Jemi për zgjedhje të jashtëzakonshme edhe për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që dëshmoi që ka pasur shkelje të vazhdueshme në raport me negociatat me Serbinë, por edhe për shkak të formimit të vullnetit të qytetarëve nga zgjedhjet e vitit 2017, ku siç e dini nga VV-së i kanë ikur disa deputetë, dhe padyshim që pastaj kjo është deformim i përfaqësimit të qytetarëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se në këto rrethana, nuk pranojnë të jenë pjesë e asnjë tavoline ku bisedohet për Qeveri teknike.
“Të vetmin takim ku Vetëvendosje do të marrë pjesë është takimi për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Janë të domosdoshme dhe janë të rëndësishme për LVV-në “, ka theksuar ajo për Telegrafin.
Lidhur me koalicionet parazgjedhore, ajo ka thënë se janë në diskutime vetëm me LDK-në, por që nuk kanë vendosur ende.
“Sa i përket koalicioneve nuk është se e kemi diskutuar në detaje, në organet e Vetëvendosjes nuk kemi vendosur ende asgjë. Jemi duke bashkëpunuar me LDK-në, nuk e di se si do të vijoj ky diskutim që e kemi. Mendoj që në Kosovë ka nevojë për ndryshime rrënjësore, dhe i vetmi subjekt që mund t’i bëjë këto ndryshime është LVV. Nëse LVV merr timonin e qeverisjes, vjen drejtësia, barazia dhe mirëqenia e zhvillimi”, është shprehur ajo.
Ndër të tjera ajo ka deklaruar se vijat e kuqe i kanë me PDK-në pasi që sipas saj ky subjekt duhet të pastrohet.
“VV nuk hynë në koalicion me PDK-në në asnjë rrethanë. PDK duhet të pastrohet, e për t’u pastruar dhe për të dhënë përgjegjësi për dëmet i duhet kohë. Në këtë kuptim nuk bënë VV koalicion me PDK-në që është përgjegjësja më e madhe e të gjitha dëmeve që i janë shkaktuar vendit”, ka deklaruar Haxhiu.
E pyetur për mundësinë e koalicionit me PSD-në, ajo ka thënë se nuk kanë pasur ndonjë komunikim me ta, edhe pse përfaqësues të PSD-së ka lënë hapësirë për koalicion parazgjedhor me LVV-në.
“Aktualisht nuk kemi ndonjë komunikim me ta. I vetmi subjekt me të cilin po komunikojmë është LDK-ja. Dhe qeverisja e ardhshme duhet të jetë VV-LDK”, ka theksuar ajo.
Kujtojmë që zgjedhjet e parakohshme, do të mbahen pasi që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje pas ftesës që ka pranuar për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë.












