Rugova: Isa Mustafa nuk është tërheqë nga gara për kreun e LDK’së

Edhe dy javë na ndajnë nga Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas zgjedhjeve të brendshme në këtë parti. Ndonëse të gjithë zyrtarët e LDK’së kanë qëndruar të heshtur rreth kandidatëve për të parin e tyre, në publik janë përmendur emra të ndryshëm potencialë për të marrë një mandat të ri. U raportua […]
Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova thotë se emrat e kandidatëve nuk do të zbulohen deri më 3 gusht, kur edhe do të zhvillohet Kuvendi i Përgjithshëm.
‘’Unë i pashë ato burime. Por aty nuk është marrë asnjë vendim. Ne jemi deklaru 100 herë se kandidaturat do të dalin në ditën e Kuvendit. Veç është biseduar, por tërhjekë nuk është Isa Mustafa nga kandidimi. Diskutu është, bisedu është për mundësinë e tërheqjes, por vendim nuk është marrë në asnjë formë’’, ka thënë Rugova për Periskopin.
Tutje ai thotë se do të ketë marrëveshje të përbashkët brenda partisë rreth kandidaturës.
‘’Ne kandiaturën do ta bëjmë me marrëveshje të përbashkët. Të shkojmë me një apo dy kandidatë, ajo është një çështje tjetër për të cilën ne nuk kemi dalë ende me qëndrime të tilla sepse nuk është koha’’.
Rugova jep vlerësime të larta rreth procesit zgjedhor të LDK’së.
‘’Zgjedhjet mirë shumë kanë shku. Lista e deputetëve është. Kuvendi është caktu me datën 3 gusht. Unë jam shumë i bindur se do të jetë Kuvend shumë i mirë’’, shton Rugova.
U raportua se arsyet e mos kandidimit te Mustafës për të parin e LDK’së mund të jenë shëndeti i tij i dobët, dhe e dyta është se do që të hapë rrugë për të tjerët.
Si kandidatë potencialë për të parin e LDK’së shihen Vjosa Osmani, Lutfi Haziri, Agim Veliu, Kujtim Gashi e Avdullah Hoti. Megjithatë asnjëri prej tyre, tash e sa muaj s’ka dashur të deklarohet rreth ambicieve për këtë post.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, në një deklaratë dhënë Periskopit kishte thënë se ende nuk e di nëse do të jetë njëri prej kandidatëve për kryetar të kësaj partie.
Zgjedhjet e brendshme të LDK’së sivjet janë manifestuar me problem të mëdha. Që nga nisja e Kuvendit më 8 mars, gati çdo javë ka pasur rrahje nëpër degë të ndryshme nëpër Kosovë./PERISKOPI/












