Parashutimi i Bajram Hasanit dhe Albena Reshitajt në majë të partisë, indinjon të mëdhenjtë e AAK’së

Albena Reshitaj, këshilltarja e ish-kryeministrit dhe kryetarit të AAK’së, Ramush Haradinaj, është zgjedhur dje nënkryetare e kësaj partie. Ndërkaq, ish-ministri i Tregtisë, Bajram Hasani, është zgjedhur anëtar i kryesisë së kësaj partie. Periskopi mëson se ka pasur pakënaqësi të shumta në AAK, për shkak të prurjeve të reja në maja të partisë… Bajram Hasani që […]
Bajram Hasani që udhëhiqte me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, para pak kohësh dha dorëheqje nga partia NISMA për Kosovën. Me të dalë nga kjo parti, ai filloi një fushatë ‘të egër online’ kundër partisë së tij duke reklamuar të gjithë ata që po e lëshonin partinë NISMA, pasi e lëshoi edhe ai.
Më vonë Hasani, njofton se do t’i bashkohej partisë së Haradinajt. Ndërkaq dje (të hënën), ai ka marrë një post në krye të kësaj partie, përkatësisht, anëtar i Kryesisë së AAK’së.
Burime nga AAK, i kanë thënë Periskopit, se ka pasur mjaft pakënaqësi për shkak të kësaj prurje në krye të partisë.
“Ka pasur pakënaqësi nga anëtarët e vjetër dhe aktivistët që kanë kontribuuar ndër vite për Aleancën”, ka thënë një burim i afërt me këtë parti.
Burime i kanë thënë Periskopit se ka pasur pakënaqësi për këto emërime në parti edhe nga njerëz që janë në krye të partisë.
Një aderim tjetër, ishte edhe Albena Reshitaj.
Kur Reshitaj ishte larguar nga posti i ministers së Ambientit, ajo kishte ‘aderuar’ në Kryeministri, përkatësisht si këshilltare politike e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrin, ajo aderon në AAK, duke u zgjedhur edhe si nënkryetare e kësaj partie.
“Duke marr përgjegjësi si nënkryetare e këtij subjekti politik, me sinqeritetin me të madh shprehem se do të përkushtohem në vizionin e Aleancës drejt zhvillimit të gjithmbarshëm të Kosoves. Marr pergjegjesinë në realizimin e Programit dhe idesë për një Kosovë të zhvilluar dhe të dinjitetëshme, në shtyerjen e proceseve demokratike përpara, duke punuar dhe duke dhënë shembull për një model të mirë dhe imazh pozitiv për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ndihem e nderuar të punoj dhe të kontribuoj në një Program profesional, por mbi të gjitha atdhetar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës -së, për zhvillimin e Kosoves”, ka shkruar Reshitaj.
Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës, më 19 korrik 2019. Më 29 korrik (dje), ai ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dorëheqjen e tij, duke thënë se ‘dëshiron ta dijë se çka mund të veprojë një kryeministër i dorëhequr dhe një Qeveri në dorëheqje”.
Haradinaj ka deklaruar se atij i konvenon sa më shpejt data e zgjedhjeve, sepse siç ka thënë, ‘i duhet t’i takojë votuesit e tij, e jo të humb kohë më me punë të shtetit’./Periskopi/












