Nga zëvendësministër kthehet në shërbyes civil në Komunën e Fushë Kosovës

Zëvendësministri në dorëheqje i Pushtetit Lokal, Bashkim Krasniqi ka vendosur të kthehet si shërbyes civil në Komunën e Fushë Kosovës posa t’i pushojë mandati. Këtë deklaratë e ka dhënë tri ditë pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje me çka pritet t’ju përfundojë mandati edhe gjithë të emëruarve politikë në Qeveri. “Unë kam punuar në Komunën e […]
Këtë deklaratë e ka dhënë tri ditë pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje me çka pritet t’ju përfundojë mandati edhe gjithë të emëruarve politikë në Qeveri.
“Unë kam punuar në Komunën e Fushë Kosovës më parë dhe kjo do të thotë që përveç politikës mund të kthehem përsëri në vendin e punës si shërbyes civil. Përveç kësaj unë jam edhe asamblist i Komunës së Fushë Kosovës”, ka thënë Krasniqi, të dielën.
Zëvendësi i Mahir Jagcilarit, i diplomuar në drejtimin e shkencave politike, kishte punuar në komunë si shërbyes civil para se të emërohej zëvendësministër nga Haradinaj. Ai potencoi gjithashtu se aktualisht është edhe asamblist në këtë Komunë.
Qeveria e Ramush Haradinaj përpos shumë skandaleve do të mbahet mend edhe për numrin rekord të zëvendësministrave. Askush s’e ka ditur saktë sa janë emëruar, por, janë përmendur më shumë se 80.
Sidoqoftë, zëvendësministri në dorëheqje ka lënë mundësinë hapur që përsëri t’i hyjë politikës me Partinë Liberale Egjiptiane, ku edhe është anëtar i kryesisë.
“Unë i përkas komunitetit egjiptian dhe nëse vendi shkon në zgjedhje, unë prap do të kandidoj së bashku me partinë time”, ka thënë Krasniqi për Express.
Zëvendësministri kujtoi edhe njëherë kontributin e tij gjatë këtyre viteve shërbim, duke theksuar se me ndihmën e tij u arrestua i dyshuari i për vrasjen e 9-vjeçarit nga Fushë Kosova dhe po i ndërtohet shtëpia kësaj familje.
“Unë si përfaqësues të komunitetit egjiptian, në cilësinë e zëvendësministrit kam vizituar të gjitha gjitha zyret e komuniteteve në të gjitha komunat duke kërkuar raport për atë se çka bëjnë zyrat për komunitete. Gjithashtu unë personalisht kam kontribu në kapjen e të dyshuarit për vrasjen e 9-vjeçarit dhe ndihmën që i është ofruar kësaj familje për t’iu ndërtuar një shtëpi së shpejti”, ka shtuar Krasniqi.












