Milaim Zeka s’di gjë për aktakuzën për rrahjen në Klan Kosova: Pasha Zotin prej juve po dëgjoj

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka një vit që kishte ngritur aktakuzë për përleshjen fizike ndërmjet deputetëve, Milaim Zeka dhe Frashër Krasniqi, në një emision live në Klan Kosova. Por diçka e tillë ishte mbajtur e heshtur nga organet e drejtësisë. Madje as vetë deputeti Zeka nuk kishte qenë i informuar. Deputeti Milaim Zeka në një […]
Deputeti Milaim Zeka në një përgjigje për Periskopin ka thënë se sot nga mediat e mori vesh aktakuzën e ngritur ndaj tij, duke e quajtur skandal të drejtësisë.
‘’Pasha Zotin, unë veç muj me thanë që është skandal i radhës i drejtësisë në Kosovë. Unë deputet dhe mos me e ditë dhe me e marr lajmin prej gazetarëve, kjo është nëna e çudirave. Kurrë në jetë nuk ka dëgju asgjë, hera e dytë prej juve po dëgjoj’’, tha Zeka për Periskopin.
Ai edhe njëherë e quan Republikë të Burdushit shtetin e Kosovës.
‘’ Ky është shtet, taman qysh kam thënë, Republikë e Burdushit. Është tmerr i Zotit kush janë prokurorë dhe kush merret me drejtësi në këtë vend. Tmerr i Zotit. Kështu që unë absolut asnjë informacion s’e kam’’, shton Zeka.
Aktakuza ndaj deputetëve Krasniqi dhe Zeka, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, është ngritur më 26 tetor 2017.
Prokuroria e ngarkon Krasniqin me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Zekën me veprën penale “kanosje”.
Se ka një aktakuzë të ngritur ndaj Zekës e Krasniqit, e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Gashi, nuk ka dhënë detaje rreth procedimit të këtij procesi gjyqësor, me arsyetimin se gjykatësi i çështjes është në pushim vjetor.
Ndryshe, përleshja fizike ndaj dy të akuzuarve kishte ndodhur gjatë emisionit “Info Lokale” në Klan Kosova, më 29 shtator 2017. Pas fyerjeve e sharjeve në mes të Krasniqit e Zekës, situata kishte eskaluar në përleshje fizike mes tyre./PERISKOPI/












