Këta janë ministrat që e konfirmojnë për Periskopin se s’do të marrin pjesë në mbledhje të Qeverisë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thirrur mbledhje të Qeverisë për nesër, në ora 14:00. Nuk dihet se me çfarë logjike është thirrë një mbledhje e tillë, nga një kryeministri që javën e kaluar dha ‘dorëheqje të parevokueshme’ nga ky post. Periskopi ka kontaktuar zv/kryeministra e ministra të kësaj Qeverie, për t’i pyetur nëse do […]
Dy ministrat e PDK’së, Dhurata Hoxha – ministre e Integrimeve Evropiane dhe Abelard Tahiri – ministër i Drejtësisë, kanë konfirmuar për Periskopin se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e nesërme të Qeverisë.
Hoxha, përmes një mesazhi ka thënë se do të udhëtojë jashtë vendit.
“Jo nuk do të marrë pjesë, nesër udhëtoj jashtë vendit. Faleminderit për mirëkuptim”, ka thënë Hoxha për Periskopi.
Njëjtë është përgjigjur edhe Tahiri, i cili ka thënë përmes telefonit se nuk do të marrë pjesë në këtë mbledhje, pasi nuk ndodhet në Kosovë.
Periskopi ka kontaktuar edhe ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismailin, atë të Financave, Bedri Hamzën, si dhe zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj. Ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike të Periskopit.
Përveç Tahirit e Hoxhës, në mbledhje të Qeverisë nuk do të jetë as një ministër tjetër.
Bëhet fjalë për ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i cili ndodhet jashtë vendit.
Një nga këshilltarët e tij, përmes telefonit i ka thënë Periskopit se Matoshi s’do të jetë pjesë e mbledhjes së nesërme të Qeverisë.
Për dallim prej tyre, në mbledhje të Qeverisë do të marrë pjesë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.
Shala, përmes telefonit ka thënë për Periskopin se do të shkojë në mbledhje të Qeverisë, nëse ajo do të mbahet.
“Unë shkoj nëse mbahet mbledhja…e pse është thirrë mbledhja prej një kryeministri që ka dhënë dorëheqje të parevokueshme ju duhet ta pyetni vetë atë, edhe pse ai ka sqaruar se do të jetë në krye të detyrës deri në caktimin e zgjedhjeve…nuk dua t’i komentoj veprimet e tij, por ministritë vazhdojnë të punojnë. Unë do të jem aty”, ka thënë Shala për Periskopin.
Periskopi ka kontaktuar edhe dy ministrat e AAK’së, Pal Lekajn – ministër i Infrastrukturës, dhe Rrustem Berisha – ministër i Mbrojtjes, por ata nuk janë përgjigjur.
Përgjigje s’kanë kthyer as Behgjet Pacolli e Valdrin Lluka të AKR’së e Fatmir Limaj i Nisma’s.
Në media është publikuar edhe agjenda me pikat e mbledhjes së Qeverisë që do të shqyrtohen nesër.
Ndërkohë, njohës të Kushtetutës kanë thënë se Haradinaj tashmë është ish-kryeministër dhe nuk ka çka të shkojë në Zyre të Kryeministrit./PERISKOPI












