“Këshilltarët e Haradinajt të padijshëm, kërkesë e panevojshme për Gjykatën Kushtetuese”

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në mëngjesin e ditës së sotme ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të aktit të tij të dorëheqjes nga posti i kryeministrit. Këtë vendim e mori vetëm një javë pas dhënies së dorëheqjes në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, shkruan Periskopi. Haradinaj thotë se nëpërmjet kërkesës për interpretim […]
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në mëngjesin e ditës së sotme ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të aktit të tij të dorëheqjes nga posti i kryeministrit.
Këtë vendim e mori vetëm një javë pas dhënies së dorëheqjes në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, shkruan Periskopi.
Haradinaj thotë se nëpërmjet kërkesës për interpretim të aktit të dorëheqjes së tij pret që t’i definohen kompetencat gjatë funksionimit të Qeverisë. Madje, deklaron se pret që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim sa më shpejtë.
“Të nderuar qytetarë, Sot kam dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes sime nga posti i Kryeministrit të vendit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas këtij akti. Qëllimi i kërkesës është, që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes sime, dhe me këtë, të shmanget vakuumi institucional, por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen. Dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese është dëshmi e përgjegjësisë institucionale, që Qeveria të veprojë brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor, e si pasojë, të mos lejojë vakuum institucional deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Shpresoj se për shkak të urgjencës Gjykata do të vendosë shpejt. Cilido të jetë ai vendim unë do ta respektoj. Në të njëjtën kohë, i bëjë thirrje Presidentit të Republikës së Kosovës, Parlamentit dhe partive politike që të ndërmarrin veprimet e duhura për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare”, shkruan Haradinaj në Facebook.
E kundër kësaj kërkese kishte dale PDK duke thënë se: “një kërkesë e tillë është e panevojshme për ta nisur në Kushtetuese”.

Në anën tjetër, analisti politik, Riza Smaka në një prononcim për Periskopin thotë se Haradinaj nuk do të duhej ta bënte një kërkesë të tillë, pasi që ai e cilëson si të panevojshme. Ai thotë se Haradinaj po ndjek modelin e ish-presidentes Jahjaga e cila gjatë kohës sa ka qenë në këtë pozitë, për çdo gjë i është drejtuar Kushtetueses.
Madje, Smaka akuzon edhe këshilltarët e Haradinajt për mos këshillim të duhur.
“Nuk ka pasë nevojë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese sepse çështja juridike është e thjeshtë është pa kurrfarë problemi për interpretim të saktë ligjor. Kur e jepë dorëheqjen kryeministri, Qeveria bie. Presidenti i shtetit i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në këtë rast duhet interpetuar se shteti nuk mund të ekzistojë pa institucione themelore siç është legjislativi, eksekutivi dhe gjyqësori. Kjo Qeveri do t’i kishte ushtruar funksionet elementare ekzekutive deri në konstitutimin e Qeverisë nga zgjedhjet e përgjithshmë të jashtëzakonshme. Kjo ka qenë e panevojshme, nuk e di pse? As këshilltarët nuk dijnë ta këshillojnë. Ky është stil i zonjës Jahjaga, për temat më të thjeshta iu është drejtuar Gjykatës Kushtetuese”, tha Smaka.
Ndërsa njohësi i Kushtetutës, Enver Hasani në një përgjigje për Periskopin, veprimin e Haradinajt e cilëson si zgjedhje të tij duke e arsyetur se është kryeministër në dorëheqje dhe se mundet ta bëjë një akt të tillë.

“Ai është kryeministër në dorëheqje, si kryeministër i tillë ai mundet me vepru në formën e tij që e ka zgjedhë”, tha Hasani.
Hasani thekson se Kushtetuesja është organi më i lartë që merr vendime dhe se kërkesën e Haradinajt duhet ta trajtoj në mënyrë urgjente dhe duhet ta kenë primare.
“Gjykata Kushtetuese është organi më i lartë që merr vendime dhe vendimet janë obligative. Afatet kohore të Gjykatës Kushtetuese janë 30 ditë. Brenda këtyre ditësh Gjykata Kushtetuese obligohet që të kthejë përgjigjë, në rastet urgjente kur drejtohet presidenti, kryeministri dhe kuvendi”, përfundon Hasani.
Gjatë kësaj periudhe Kosova gjendet në një bllokim Qeveritar. Riza Smaka sqaron se çfarë vendimesh mund të marrë tani për tani kryeministri në dorëheqje.
“Përderisa mbetet në funksion të përkohshëm, Qeveri në dorëheqje meqenëse do të ishte shkarkuar edhe me mocion, Haradinaj do të duhej t’i kryente punët elementare projektet e miratuara që janë në realizim do të thotë vetëm punë elementare por jo siç i takojnë me të vërtetë Qeverisë”, përfundon Smaka./Periskopi/












